Urgjenca e QSUT, shtohen rastet me infarkt tek përdoruesit e drogave

Përdoruesit e lëndëve narkotike po “sulmohen” nga infarktet e miokardit.
Këta pacientë janë të predispozuar të pësojnë arrest kardiak dhe çregullime të ritmit të zemrës, ndaj rastet në urgjencën polivalente të QSUT janë shtuar shumë së fundmi.
Mjekja e urgjencës, Anduela Çuko, i tha RTSH-së se krahas të sëmurëve kardiakë një kontigjent i përditshëm pacientësh janë edhe përdoruesit e lëndëve narkotike.
“Lëndët narkotike janë një shkak që moshat e reja po kryejnë infarkte të miokardit. Ata paraqiten tek ne në urgjencë dhe janë shumë të predispozuar për t‘u prekur. Përveç kësaj ata mbajnë edhe problematika të tjera si ç‘rregullime të ritmit të zemrës.
Ky fenomen është shtuar sidomos këtë vitin e fundit sa edhe ne po habitemi. Çdo pacient që vjen, sidomos përdoruesit e lëndëve narkotike, i nënshtrohen një ekzaminimi bazë që është elektrokardiograma“, tha mjekja.
Mjekja thotë se zakonisht fundjavat janë ditët më të ngarkuara ku asistohen më shumë përdorues të lëndëve narkotike.
Ata vijnë në gjendje të rënduar nga mbipërdorimi i drogave që konsumojnë pas festave, koncerteve apo udhëtimeve nëpër skafe me shoqëri.
Gazetare: Sonila Mlloja
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




