Autostrada Lushnjë – Fier e Lushnjë- Rrogozhinë pa rrugë dytësore për banorët, vende të rrezikshme dhe me aksidente

Sociale | 4 vite më parë

Me biçikleta nuk ngjiten, por as në këmbë nuk kalojnë tek mbikalimet e autostradës Lushnjë – Fier. Banorët ecin mes përmes dy korsive të rrugës, duke llogaritur momentin e kalimit me shpejtësi.

Ndonjëherë llogaritë nuk arrijnë t‘i  bëjnë mirë, duke humbur jetën. Kështu veprojnë prej 15 vitesh banorët e Savres, që nga ndërtimi i rrugës së re.

Nuk ka rrugë dytësore për të kaluar bagëtitë apo mjetet bujqësore. Një banor i Savrës tregon se shumë persona kanë humbur jetën në përpjekje për kalimin e rrugës. Të tjerë, kanë shitur bagëtitë sepse nuk  kanë rrugë kalimi nga fshati tek tokat bujqësore.

I rrezikshëm është edhe kryqëzimi te Pushimi i Shoferit. Mbyllja e saj një vit e gjysëm më parë, si “nyje e zezë” e quajtur nga policia, ngriti në protesta banorët dhe hyrje daljet u lanë përsëri të hapura.

Edhe aksi nacional Lushnje- Rrogozhinë është i rrezikshëm për drejtuesit e automjeteve, për shkak të kalimit të këmbësorëve. Në pjesë të ndryshme barrierat anësore mungojnë, ndërsa bizneset janë ndërtuar pranë rrugës.

Kanale të vogla u hapen një vit më parë nga ARRSH, pranë bizneseve të cilat kanë hyrje- daljet e rrezikshme. Pjesa më e madhe e tyre, një muaj më pas, u mbyllën përsëri, ndërsa aksioni nuk vazhdoi më.

Këto dy autostrada si Lushnje – Fier e Lushnje- Rrogozhinë, nuk kanë rrugë dytësore për banorët e zonave ku shtrihen. Barrierat anësore janë të pjesshme, ndërsa 4 mbikalimet e ndërtuara pothuajse nuk përdoren fare nga kalimtarët.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme