Reforma Zgjedhore, Balla: 30 nëntori, afati i fundit. PD të ndaj bojkotin, ose e miratojmë në mënyrë të njëanshme. PS nuk do të mbështesë shtyrjen e afatit

Politikë | 7 minuta më parë

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar se PS-ja nuk do të mbështesë zgjatjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, duke theksuar se data 30 nëntor është afati përfundimtar për përfundimin e punës së tij.

Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Balla i bëri thirrje Partisë Demokratike që të ndërpresë bojkotin parlamentar dhe të rikthehet në Kuvend dhe në komisionet parlamentare, për të kontribuar në përmbylljen e reformës.

Ai theksoi se një vit ka qenë kohë e mjaftueshme për realizimin e reformës, ndërsa paralajmëroi se mazhoranca është e gatshme ta miratojë atë edhe në mënyrë të njëanshme, nëse opozita nuk pranon të bashkëpunojë.

“30 nëntori është afati i fundit i Komisionit të Reformës Zgjedhore. PS-ja nuk do të mbështesë zgjatjen e afatit të këtij komisioni, pasi një vit ka qenë i mjaftueshëm. Nuk mund të përsëritet i njëjti skenar dhe e njëjta lojë e pistë në kurriz të Shqipërisë dhe rrugës së saj të integrimit. Do ta miratojmë reformën edhe në mënyrë të njëanshme, nëse PD-ja nuk bie dakord dhe kërkon shtyrjen e afatit të komisionit. Shpresoj shumë që PD-ja të vijë”, tha Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së i bëri gjithashtu thirrje PD-së dhe partive të tjera opozitare që të marrin pjesë në seancën e ardhshme parlamentare, ku do të diskutohet buxheti i vitit 2027.

Sa i përket çështjeve kryesore që duhet të adresojë reforma zgjedhore, Balla përmendi depolitizimin e komisioneve zgjedhore, rregullimin e mbulimit mediatik të fushatave dhe financimit të medias gjatë periudhave elektorale, si dhe çështjen e përfshirjes së administratës në zgjedhje dhe financimin e partive politike.

Ai përsëriti thirrjen ndaj demokratëve që të rikthehen në tryezën e diskutimeve dhe të kontribuojnë në procesin e reformës zgjedhore.

“Prej vitit 2013, kur PD-ja kaloi në opozitë, nuk kemi pasur asnjë dakordësi për një reformë të plotë zgjedhore, e cila të adresonte rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Në verën e vitit 2020 kemi qenë pranë një hapi që do të çonte drejt depolitizimit të komisioneve zgjedhore. Kanë kaluar gjashtë vite dhe, në funksion të një konteksti të ri politik, të krijuar nga dëshira e të gjitha palëve për të pasur garanci, nuk mund ta kenë vetëm PS-ja dhe PD-ja kontrollin e plotë të procesit të votimit. Duhet një shumicë që vjen jashtë politikës. Le të hedhim një hap të madh drejt depolitizimit të komisioneve, të paktën ta nisim me të pjesshmen.

Të gjitha raportet e OSBE-së ndër vite kërkojnë një rregullim të mbulimit të fushatës zgjedhore dhe financimit të medias gjatë periudhave elektorale. E gjithë kjo është një çështje që lidhet edhe me përfshirjen e administratës në zgjedhje. Edhe kjo është një çështje që duhet adresuar. Nëse opozita nuk pranon ta adresojmë së bashku me ligj, për zgjedhjet e 9 majit qeveria jonë do të ndërhyjë me akte nënligjore dhe vendime të Këshillit të Ministrave.

Çështja e katërt është financimi i partive politike, ku këtu jemi pa fjalë. Që në vitin 2017 kemi punuar për një draft të parë për financimin e partive politike. Sot drafti pothuajse është gati. Ka pasur një lexim të parë nga Komisioni i Venecias dhe, në aspektin teknik, janë mbyllur të gjitha çështjet. Do të marrim shembullin më të mirë nga vendet që kanë kontekste të ngjashme me vendin tonë dhe do ta miratojmë. Ekspertët e PD-së e kanë pranuar draftin, por ka një element: prej një muaji PD-ja ka hyrë në një tunel pa kthim. Ftesa ime për ta është që të ndërpresin bojkotin e jetës parlamentare, të Kuvendit dhe të komisioneve”, tha Balla.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme