Këshillimi Kombëtar, Rama publikon pyetjen e dytë mbi ashpërsimin e dënimit për krimet e rënda

Kryeministri Edi Rama publikoi të premten pyetjen e dytë të formularit të Këshillimit Kombëtar, një nismë që synon marrjen e mendimit të qytetarëve mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, shoqërinë.
Pyetja e dytë e formularit ka të bëjë me ashpërsimin e dënimit të autorëve përsëritës në kryerjen e krimeve të rënda kundër personit.
“Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të ashpërsojë dënimin e autorëve përsëritës në kryerjen e krimeve të rënda kundër personit, duke e dyfishuar dënimin për ta dhe duke hequr të drejtën e gjykimit të shkurtuar për autorët që kryejnë dhunë në familje dhe krime ndaj fëmijëve. Të tjerë thonë se dënimet në fuqi janë të mjaftueshme për përsëritësit dhe dhunuesit ndaj familjes e fëmijëve. Cili është mendimi juaj?”, është pyetja që shtrohet në formular.
Pyetja ka edhe një sqarim të çështjes ku thuhet se “kjo masë garanton që autorët përsëritës të krimeve të rënda kundër personit të marrin dënime edhe më të ashpra se sa ato që parashikojnë ligjet në fuqi, ndërkohë që personat që ushtrojnë dhunë në familje dhe krime kundër fëmijëve të mos kenë mundësinë të përfitojnë ulje dënimi prej gjykimit të shkurtuar”.
Qytetarët kanë tri mundësi për të kthyer përgjigje. “Shqipëria duhet të ashpërsojë dënimet ndaj këtyre autorëve; Nuk kemi nevojë për masa të tilla; Nuk di të gjykoj mbi këtë çështje”, janë mundësitë e përgjigjes në pyetësor.
Kryeministri Rama e cilësoi këtë nismë një proces të hapur për çdo shqiptar e shqiptare, kudoqoftë jeton e banon, pavarësisht bindjeve e simpative politike, që mund ta përdorë këtë urë të re komunikimi mes qeverisë dhe popullit shqiptar dhe të japë opinionet e veta për çështje me rëndësi për shtëpinë tonë, Shqipërinë, përmes pyetësorit të Këshillimit Kombëtar.
Kush dëshiron mund të marrë pjesë duke klikuar në https://keshillimikombetar.al/”.
Në 5 janar të këtij viti, Kryeministri Rama njoftoi nisjen e procesit të Këshillimit Kombëtar, përmes të cilit qytetarët do të shprehin mendimin e tyre lidhur me çështje që kanë të bëjnë me ekonominë, punën, familjen, drejtësinë, luftën kundër kriminalitetit, apo procesin e integrimit evropian të vendit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




