Gjallërohet tregtia me pakicë në tremujorin e katërt, rriten shitjet e produkteve ushqimore e jo-ushqimore

Tregtia me pakicë ka shfaqur sinjale gjallërimi në tremujorin e fundit të vitit, për herë të parë që pas fillimit të pandemisë, edhe pse kufizimet u rikthyen në dhjetor. Rritja është ndikuar nga përmirësimi i shitjeve të ushqimeve, pijeve e duhanit dhe artikuje jo ushqimorë, ndërsa me rënie vijoi vetëm tregtimi i karburanteve.
INSTAT raportoi se shitjet në volum në tregtinë me pakicë janë rritur 2,6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht është rritur 1,9%.
Sipas INSTAT, Në tregtinë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, volumi i shitjeve në tremujorin e katërt 2020 është rritur me 3,8 %, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2019.
Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve është rritur 1,8 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019.
Volumi i shitjeve, për grupin “Artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është rritur 6,5 %, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës. Në grupin “Tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve ka pësuar rënie me 3,6 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019.
Ndikimi i grupeve në tregtinë me pakicë
Në ndryshimin vjetor prej +2,6 %, në tremujorin e katërt 2020 ndaj tremujorit të katërt 2019, në tregtinë me pakicë, grupet kanë kontribuar si më poshtë:
Grupi “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” ka kontribuar me +1,6 pikë përqindje. Grupi “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” me+2,4 pikë përqindje dhe grupi “Tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” me -1,4 pikë përqindje
Ndryshimi tremujor në indeksin e volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë, përshtatur sezonalisht
Në tremujorin e katërt 2020, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, në grupin “Tregti me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, është rritur me 1,9 %, krahasuar me tremujorin paraardhës.
Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve i përshtatur sezonalisht, është rritur me 2,0 %, krahasuar me tremujorin paraardhës.
Volumi i shitjeve i përshtatur sezonalisht, në tregtinë me pakicë, për grupin “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është rritur me 0,9 %, kundrejt tremujorit të mëparshëm.
Në grupin “Tregti me pakicë hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve i përshtatur sezonalisht, ka pësuar rënie 1,2 %, kundrejt tremujorit të tretë 2020.

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




