Broja rikthehet dhe fiton penallti, Chelsea shpëton nga humbja

Angli | 3 vite më parë

Armando Broja është rikthyer më në fund në fushën e lojës me skuadrën e Chelsea pas një kalvari të gjatë mungese dhe dyshimesh për të thënë fjalën e tij dhe pikërisht në sfidën me Manchester City, të luajtur në “Stamford Bridge”.

Sulmuesi kuqezi fitoi një 11-metërsh kur rezultati ishte 4-3 në favor të skuadrës së Guardiolës dhe Palmer nga pika e bardhë vendosi barazpeshën në 4-4.

Erling Haaland hapi rezultatin me një penallti të diskutueshme, përpara se Thiago Silva dhe më pas Raheem Sterling të kalonin Chelsean përpara.

Megjithatë, pjesa e parë u mbyll në barazim 2-2 pasi Manuel Akanji shënoi ne shtesë, ndërsa Haaland kompletoi dopietën personale menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë për t’i dhënë përsëri City-t epërsinë.

Nicolas Jackson reagoi ndaj një gabimi të Ederson për të bërë rezultatin 3-3, por Rodri riktheu edhe njëherë avantazhin e të besuarve të Guardiolës me një goditje nga distanca e devijuar nga Robert Sanchez në minutën e 86-të.

Por asgjë nuk ka mbaruar. Zëvendësuesi Armando Broja u pengua në mënyrë të parregullt në zonën e City-t për të fituar një penallti dhe Palmer, i cili e filloi sezonin si lojtar i City-t, u tregua I saktë në finalizim nga pika e bardhë, 4-4.

Barazimi e lë Man. City-n me 28 pikë, një më shumë se ndjekësit. Chelsea kalon në vendin e 10-të me 16 pikë.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme