Besa frenon Bylisin, përfiton AF Elbasani

Kategoria e Parë e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur të hënën pasdreke të gjitha ndeshjet e javës së saj të 10-të, duke dhuruar tri barazime dhe tri fitore të skuadrave udhëtuese. Midis barazimeve, spikati ai midis Bylisit vendas dhe Besës, që u mbyll me rrjeta të paprekura dhe skuadra ballshiote u ndal në barazimin e dytë në këto 10 javë të para, ku nuk e njeh humbjen, sepse ka korrur 8 fitore dhe kryeson në kuotën e 26 pikëve. Në barazim, por në shifrat 1-1, u mbyll edhe ndeshja e luajtur në Fushë-Krujë, midis Kastriotit dhe Apolonisë, pamje të së cilës na përcjell kjo kronikë.
Arapi i ka kaluar krutanët në epërsi pas vetëm 3 minutash lojë, ndërsa Trifoni barazon shifrat për fierakët në minutën e 30-të. Ora e mbetur e lojës nuk ka sjellë gola të tjerë dhe të dyja skuadrat ndajnë nga një pikë, me Apoloninë që ngjitet në vendin e 4-t, me 18 pikë, një më pak sesa Vora, që u ndal gjithashtu në një barazim 2-2 në fushën e vet përballë Lushnjës.
Fituesja e madhe e kësaj jave ishte AF Elbasani, që fitoi 4-2 në fushën e Luzit të Vogël dhe u ngjit në kuotën e 22 pikëve, duke qenë tashmë 4 pikë prapa Bylisit kryesues. Fitore në fushë të huaj korri edhe Flamurtari, që iu fal golit të Sidibesë për të marrë 3 pikët në Peshkopi përballë Korabit vendas, por edhe Burreli, që gjithashtu me një gol të vetëm fitoi në Berat ndaj Tomorit.
Java e 10-të
BYLIS-BESA 0-0
KASTRIOTI-APOLONIA 1-1
Arapi 3′ / Trifoni 30′
KORABI -FLAMURTARI 0-1
Sidibe 36′
LUZI-AF ELBASANI 2-4
Treni 40′, Xhika 49′ / Leo Melo 9′, 78′ Greca 14′, Hasani 17′
TOMORI-BURRELI 0-1
Naza 63′
VORA-LUSHNJA 2-2
Raboshta 45+2′ / Kasmollari 15′, Ajinde 73′

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




