Vora, largohet trajneri Artan Merxhushi

Një nga ekipet që ka spikatur gjatë këtij sezoni të nivelit të dytë të Kampionatit Kombëtar, Kategorisë së Parë, ka qenë Vora, e cila mban, pas 8 javësh, vendin e 4-t në renditje, me 15 pikë, 7 pikë prapa Bylisit kryesues, por vetëm dy pikë prapa Apolonisë së vendit të dytë, që të çon automatikisht në Kategorinë Superiore sezonin e ardhshën. Por duket se kjo dhe 5 fitore e 3 humbje në këto 8 javët e para nuk kanë qenë të mjaftueshme që Artan Merxhushi të vazhdojë të jetë trajneri i Vorës. Lajmin e ka bërë me dije vetë klubi i Kategorisë së Parë me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku komunikon se të dyja palët kanë ndërprerë kontratën me marrëveshje.
“Futboll Klub Vora njofton për ndërprerjen e bashkëpunimit me tranjerin, Artan Mergjyshi”, – shkruhej në postimin e klubit, që vijonte: “Bashkëpunimi me trajnerin Merxhushi ndërpritet me marrëveshje të dyanshme. Me këtë rast, FK Vora falënderon Merxhushin për kontributin e dhënë gjatë periudhës qe drejtoi skuadrën tonë, dhe i dëshirojmë shëndet dhe shumë suksese në të ardhmen.” Në fakt, ky lajm vjen krejt i papritur, pas fitores së Vorës në kampionat në fushë të huaj përballë Kastriotit, me skuadrën që është në betejë për t’u ngjitur në Superiore.
Edhe vetë trajneri Merxhushi e ka konfirmuar ndarjen, teksa në një bisedë të shkurtër telefonike me RTSH Sport ka pohuar se është larguar me mirëkuptim nga kjo detyrë. “Palët nuk ndanin të njëjtin qëndrim sa i përket filozofisë së lojës dhe arritjes së objektivave dhe, për rrjedhojë, bashkëpunimi nuk mund të vazhdonte më”, – ka shtuar ai, duke pohuar se vendimi i klubit i erdhi papritur, por duke e pranuar atë, përtej rezultateve që kishte arritur skuadra dhe vendit që ajo mbante në renditjen e Kategorisë së Parë pas 8 javëve të para. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë trajneri i ri i Vorës në vijim, ndërsa Artan Merxhushi do të marrë pak kohë për të vendosur për hapin e tij të radhës
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




