Berisha me përfaqësues të OSBE: Kriza sociale po i detyron qytetarët të largohen nga vendi

Politikë | 1 vit më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me përfaqësues të OSBE-së, Farah Karimi, Andreas Nothele dhe Sherif Abdili.

Zyra e shtypit njofton se gjatë këtij takimi, u diskutua mbi zhvillimin e fushatës elektorale dhe sfidat që mund të ndikojnë në vlerësimin e qytetarëve.

Kryetari i PD, Sali Berisha, ofroi një analizë të detajuar të situatës politike në vend, duke theksuar se korrupsioni endemik e kapilar dhe bandat kriminale, të fuqizuara nga një bashkëpunim simbiotik me Edi Ramën dhe qeverinë, kanë dëmtuar shpresën e shqiptarëve. Ai theksoi se gjendja e krijuar këto vite po i detyron qytetarët të largohen nga vendi, duke krijuar një krizë sociale, më e madhja e periudhës pas komunizmit.

Berisha gjithashtu diskutoi se si sistemi i drejtësisë po përdoret politikisht nga qeveria, duke përfshirë rastet e arrestimit dhe ndjekjes penale të tre drejtuesve kryesorë të saj, si dhe situatat kur deputetë, kryebashkiakë dhe zyrtarë të tjerë të Partisë Demokratike janë ndjekur penalisht pa prova dhe fakte ligjore.

Përfaqësuesit e OSBE-së shprehën interes për të kuptuar nëse këto akuzat ishin të dokumentuara publikisht. Nga PD u sqarua se të gjitha informacionet janë të aksesueshme, përfshirë transkriptimet e Sky/EncroChat nga autoritetet ligjzbatuese belge dhe franceze.

Ata gjithashtu kërkuan të dinin nëse qeveria po përdor burimet administrative për fushatë. Berisha paraqiti shembuj se si administrata dhe fondet publike po përdoren për interesa elektorale, në kundërshtim me këto rekomandimet e ODIHR duke numëruar së paku 80 raste të dokumentuara, që rriten, sipas tij, çdo ditë.

Përfaqësuesja e OSBE-së kërkoi të kuptonte perceptimin dhe pritshmëritë e opozitës për sa i përket votimit të lirë nga ana e qytetarëve. Berisha e informoi atë mbi kushtet e vështira me të cilat përballet opozita si dhe me ofertën nga ana e saj dhe koalicionit PD – ASHM të një alternative reale, duke prezantuar një program politik ekonomik që adreson problemet e shqiptarëve.

Në takim morën pjesë kryetari i PR, Fatmir Mediu dhe deputeti Helidon Bushati, anëtarë të delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE dhe Enri Çeno, sekretar për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të PD. Sipas njoftimit të PD, biseda ishte e hapur.

  • /rtsha.l/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Të ngjashme