Dosja “Veliaj”, GJKKO jep vendimin përfundimtar më 25 nëntor. SPAK kërkoi burg vetëm për biznesmenin Elman Abule

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pritet të shpallë më 25 nëntor vendimin përfundimtar për të pandehurit në procesin e ndarë të dosjes “Veliaj”, pas përfundimit të kundërshtimeve të tyre dhe avokatëve mbrojtës.
Në këtë proces, që po gjykohet me procedurë të shkurtuar, SPAK ka kërkuar dënimin me 7 vite burg për biznesmenin Elman Abule. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, masa e dënimit reduktohet në 4 vite e 8 muaj heqje lirie. Abule është i vetmi për të cilin prokuroria ka kërkuar dënim me burg.
Për të pandehurit e tjerë, organi i akuzës ka kërkuar masa të ndryshme dënimi. Konkretisht, për ish-deputeten socialiste Klotilda Bushka është kërkuar gjobë prej 600 mijë lekësh, ndërsa për Ina Goxhajn dhe Fatjon Baçin është kërkuar shërbim prove.
Për biznesmenin Fatmir Bektashi SPAK ka kërkuar kryerjen e punës në interes publik, ndërsa për Frosina Bollon është kërkuar shërbim prove. Për Flutura Xhanin është kërkuar një gjobë prej 40 mijë lekësh.
Ndërkohë, Adela Kondakçiu përjashtohet nga dënimi, pasi ka përfituar statusin e bashkëpunëtores së drejtësisë.
Në pretencën e saj, SPAK ka kërkuar gjithashtu vendosjen e gjobave për tre shoqëri të përfshira në dosje: 18 milionë lekë për shoqërinë “Ramental”, 800 mijë lekë për “Kontakt” dhe 500 mijë lekë për organizatën “Frobolus”.
Pas dëgjimit të palëve dhe përfundimit të kundërshtimeve të mbrojtjes, procesi ka kaluar në fazën përfundimtare, ndërsa më 25 nëntor pritet vendimi i GJKKO-së për fatin penal të të pandehurve.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, Ajola Xoxa dhe të pandehurit e tjerë vijojnë të gjykohen në procesin kryesor të dosjes “Veliaj”, me procedurë të zakonshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



