Sot zgjedhjet parlamentare, panorama në qarqet e vendit

Qytetarët në të gjithë vendin po i drejtohen sot (11 maj) kutive të votimit, për të zgjedhur 140 deputetët që do të përfaqësojnë vendin në Kuvend për 4 vitet e ardhshme.
Në të gjithë qarqet e vendit janë shpërndarë materialet zgjedhore, ndërsa qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00. Pas kësaj ore, do të votojnë vetëm qytetarët që janë në radhë.
Kukësi në votime, të drejtë vote kanë 81 mijë e 804 qytetarë
Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, në Qarkun e Kukësit janë të regjistruar gjithsej 81.804 votues, të shpërndarë në 139 qendra votimi.
KZAZ nr. 11 në Bashkinë Kukës ka numrin më të madh të votuesve, si dhe 73 qendra votimi. Ndërkohë, KZAZ në Tropojë ka të regjistruar 21.087 votues dhe 38 qendra votimi. Në Bashkinë Has janë të regjistruar gjithsej 16.182 zgjedhës, me 28 qendra votimi.
Vetëm në qytetin e Kukësit, të drejtë vote kanë 18.574 qytetarë. Ndërkohë, më 11 maj pritet të votojnë edhe 44 persona me aftësi të kufizuara dhe 27 të paraburgosur.
Në Bashkinë Kukës janë 73 qendra votimi, një më pak se në vitin 2023, kur ishin hapur 74. Kjo ulje vjen si pasojë e rënies së numrit të banorëve në fshatin Kalis, ku janë larguar rreth 300 persona.
Qendra e Numërimit është e vendosur në palestrën e gjimnazit të qytetit, e cila do të ruhet nga forcat e Policisë. Në total, 44.535 qytetarë të Bashkisë Kukës kanë të drejtë vote në këto zgjedhje, një rënie krahasuar me vitin 2023, kur numri i votuesve ishte 45.855.
Shkodra në votime, 261 mijë e 579 zgjedhës në pesë bashkitë e këtij qarku
Në Qarkun Shkodër kanë të drejtë vote 261 579 qytetarë. Ky qark përbëhet nga 8 komisione të administrimit zonal zgjedhor dhe 405 qendra votimi. ZAZ nr.1 e vendosur në Malësi të Madhe ka në administrim 72 Qendra Votimi me 42048 votues. ZAZ nr.2 e vendosur në pallatin e sportit është më e madhja dhe përfshin 106 qendra votimi me 70959 zgjedhës. Pjesë e administrimit të kësaj ZAZ janë njësitë administrative të bashkisë Shkodër nga Velipoja në Vermosh.
Ndërsa ZAZ nr.3 ka 47 qendra votimi me 31 794 votues. Po ashtu ZAZ nr.4 dhe 5 janë të vendosura në qytet dhe kanë përkatësisht nga 46 dhe 47 qendra votimi me 60 mijë votues. 53 qendra votimi në Bashkinë Vau Dejës do të administrohen nga ZAZ nr.6 në të cilën kanë të drejtë vote 38184 zgjedhës.
ZAZ nr.7 e vendosur në Pukë ka në administrim 18 kuti votimi me 10711 zgjedhës. ZAZ nr. 8 administron 16 qendra votimi të Bashkisë Fushë Arrëz me 7841 zgjedhës. Diaspora, e cila voton për herë të parë këtë vit, në rang qarku ka 17480 të regjistruar. Ndërsa në vitin 2021 në qarkun Shkodër kanë patur të drejtë vote rreth 272 078 zgjedhës nga të cilët kanë votuar rreth 113 mije votues.
Korça në zgjedhje, 266,794 qytetarë me të drejtë vote
Qytetarët e qarkut të Korçës po i drejtohen kutive të votimit më 11 maj për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Ky qark do të përfaqësohet me 10 deputetë në parlament. Në qarkun e Korçës janë ngritur 7 Komisione Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ), të shpërndara në 6 bashki: Korçë, Pogradec, Maliq, Kolonjë, Devoll dhe Pustec. Procesi i votimit do të zhvillohet në 422 qendra votimi, ndërsa numri i zgjedhësve të regjistruar është 266 794. Përkatësisht, ndarja sipas KZAZ-ve është si më poshtë:
KZAZ nr. 70 (Bashkia Pogradec): 106 qendra votimi, 69 466 zgjedhës
KZAZ nr. 71 (Bashkia Maliq): 76 qendra votimi, 46 036 zgjedhës
KZAZ nr. 72 (Bashkia Pustec): 8 qendra votimi, 4 027 zgjedhës
KZAZ nr. 73 (Bashkia Devoll): 50 qendra votimi, 30 568 zgjedhës
KZAZ nr. 74 (Bashkia Korçë): 55 qendra votimi, 32 280 zgjedhës
KZAZ nr. 75 (Bashkia Korçë – zona e qytetit): 104 qendra votimi, 70 597 zgjedhës
KZAZ nr. 76 (Bashkia Kolonjë): 26 qendra votimi, 13 840 zgjedhës
Materialet zgjedhore, përfshirë fletët e votimit, kutitë, vulat, pajisjet e identifikimit elektronik (PEI) dhe kamerat e qendrave të votimit, kanë mbërritur tashmë në të gjitha KZAZ-të e qarkut. Shpërndarja e tyre drejt qendrave të votimit pritet të kryhet një ditë para zgjedhjeve, ndërkohë që komisionerët janë lajmëruar dhe trajnuar për të marrë në dorëzim materialet sipas procedurave ligjore.
Autoritetet zgjedhore lokale kanë bërë të ditur se janë marrë të gjitha masat për një proces zgjedhor të rregullt, transparent dhe pa problematika. Në çdo qendër votimi do të jenë të pranishëm komisionerët, vëzhguesit dhe grupet e numërimit për garantimin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve.
Gjirokastra në votime, 115 mijë e 418 zgjedhës në shtatë bashkitë e këtij qarku
Në Qarkun e Gjirokastrës votohet për të zgjedhur drejtuesit e rinj të Parlamentit Shqiptar. Në listat e votimeve, të cilat janë të afishuara në vende publike, sipas kodit zgjedhor, janë të regjistruar 115,418 votues. ndërkohë që në zgjedhjet parlamentare të 2021 numri total i zgjedhësve ishte 123 mije e 270 votues dhe 207 qendra votimi, nga të cilët votuan 47 mije e 888 zgjedhës. Për herë të parë në këto zgjedhje do të votojë edhe diaspora, ku nga qarku Gjirokastër raportohen të regjistruar në platformën PER 8 mijë e 500.
Numrin më të madhe të votuesve e ka bashkia Gjirokastër me 40,510 votues. ndërsa Libohova regjistron numrin më të vogël me 5,332 votues.
Në gjithë qarkun janë 198 qendra votimi.
Qarku i Gjirokastrës edhe në këto zgjedhje do të çoje në parlamentin shqiptar 4 deputetë.
Zgjedhjet në qarkun e Durrësit, 351,283 qytetarë kanë të drejtën e votës
Më 11 maj, në qarkun e Durrësit do të zgjidhen 14 deputetë të ardhshëm të Parlamentit të Shqipërisë.
Durrësi është qarku i tretë më i madh i vendit pas Tiranës dhe Fierit, që njësoj si Elbasani prodhon 14 mandate. 351,283 qytetarë kanë të drejtën e votës që do ta ushtrojnë në 7 Zona të Administrimit Zgjedhor me 483 qendra votimi. Nga përvoja e dy zgjedhjeve të fundit parlamentare, pjesëmarrja nuk e ka kaluar 50 përqind, kur në vitin 2021 në qarkun e Durresit votuan 44.96% e zgjedhësve. Në këto zgjedhje, për herë të parë voton edhe diaspora, ku në qarkun e Durrësit janë regjistruar 25,014 votues nga jashtë.
Zgjedhjet në qarkun e Vlorës
307,878 qytetarë të qarkut të Vlorës me të drejtë vote do të zgjedhin 12 përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë.
Qarku i Vlorës është i përbërë nga 7 bashki dhe ka 10 KZAZ, 4 prej të cilave janë në bashkinë më të madhe, Vlorë, ndërsa 6 të tjera janë shpërndarë në bashkitë Selenicë, Himarë, Delvinë, Sarandë, Finiq dhe Konispol.
Ndërsa, qendra votimi në total janë 499. Votuesit nga diaspora të regjistruar për zgjedhjet e 11 majit janë gjithsej 19,942.
Zgjedhjet në qarkun e Elbasanit
Qarku i Elbasanit mbetet një nga zonat më të rëndësishme në hartën elektorale të Shqipërisë, me një peshë të veçantë në përcaktimin e çdo legjislature të re. Me një popullsi prej 437.350 banorësh dhe një ndarje administrative që përfshin shtatë bashki – Elbasan, Cërrik, Gramsh, Peqin, Përrenjas, Librazhd dhe Belsh – ky qark prodhon 14 mandate në Kuvendin e Shqipërisë. Në zgjedhjet parlamentare të këtij viti janë regjistruar gjithsej 357.054 zgjedhës, mes të cilëve 25.195 janë qytetarë që jetojnë jashtë kufijve të vendit. Për herë të parë ata kanë të drejtën të ushtrojnë votën përmes postës nga shtetet ku jetojnë e punojnë. Në të gjithë qarkun janë ngritur 10 Zona të Administrimit Zgjedhor, nga të cilat 4 ndodhen në Bashkinë e Elbasanit dhe 6 të tjera nga një në çdo bashki të qarkut.
Në total, janë vendosur 511 qendra votimi. Në Bashkinë e Elbasanit, ZAZ-ja kryesore, me numër 48, është vendosur në Pallatin e Sportit dhe përfshin një numër votuesish prej 60.722 qytetarësh, ndërsa dy zona të tjera më të vogla ndodhen po në të njëjtin ambient. ZAZ-ja e katërt është vendosur në shkollën 9-vjeçare “Jorgji Dilo”.
Në bashkitë e tjera të qarkut, procesi i numërimit është i përqendruar në ambiente që janë përshtatur për këtë qëllim: në Belsh, votat e 24.380 qytetarëve do të numërohen në gjimnazin e qytetit; në Gramsh, ZAZ nr. 52 është vendosur në Pallatin e Sportit; në Peqin, në Qendrën Kulturore “Ferdinand Deda”; në Cërrik, në palestrën e shkollës 9-vjeçare “Aleks Buda”; në Librazhd, në gjimnazin “Ibrahim Muça” dhe në Përrenjas, në palestrën e shkollës “Qybra Sokoli.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





