Zgjedhjet, OSBE-ODIHR: Procesi i qetë dhe i organizuar mirë, por klima tejet e polarizuar

Misioni i OSBE-ODHIR, në një raport mbi zgjedhjet që u mbajtën në vend, e vlerësoi procesin si “të qetë dhe të organizuar mirë”, por duke theksuar se ndodhën në një klimë “tejet të polarizuar”. Në konferencën për shtyp, përfaqësuesja e misionit tha se zgjedhjet parlamentare ishin konkurruese, por shtoi se kandidatët për deputetë nuk patën mundësi të barabarta.
“Në këto zgjedhje parlamentare populli shqiptar tregoi një angazhim të fortë ndaj demokracisë, në një klimë tejet të polarizuar dhe ndonjëherë të vështirë, ata dolën morën pjesë. Në këtë frymë, në respekt të njerëzve do të doja të ndaja disa nga pikat kryesore. Zgjedhjet parlamentare të 2025 në Shqipëri ishin konkurruese, por ndodhën në një klimë tejet të polarizuar dhe kandidatët nuk patën mundësi të barabarta. Megjithatë kandidatët patën mundësi të bënin fushatë në mënyrë të lirshme. Administrata zgjedhore e administroi procesin në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente”, u shpreh drejtuesja e vëzhguesve afatshkurtër të OSBE, Farah Karim.
Ajo vlerësoi menaxhimin e votimit nga jashtë, por duke përmendur se u regjistruan disa probleme. Sipas misionit të OSBE-ODIHR, partia në pushtet, Partia Socialiste, përfitoi nga përdorimi i burimeve administrative gjatë fushatës “duke krijuar një avantazh të padrejtë”.
Ndalur te mediet, përfaqësuesja e misionit tha se u minua pluralizmi i burimeve informative dhe se dy partitë kryesore ishin ato që dominuan në mbulimin e lajmeve.
“Votimi nga jashtë vendit u menaxhua mirë pavarësisht marrëveshjes politike të arritur me vonesë dhe disa probleme organizative. Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i burimeve administrative gjatë fushatës duke krijuar një avantazh të padrejtë. Pati edhe raportimi pretendimesh për presion ndaj zgjedhësve, sidomos nëpunësve të administratës publike. Legjislacioni zgjedhor dhe interpretimi i ngushtë nga administrata zgjedhore nuk parandaloi abuzimin. Përqendrimi i pronësisë së medies minoi pluralizmin e burimeve informative dhe krijoi autocensurë dhe dy partitë kryesore ishin ato që dominuam në mbulimin e lajmeve. Pati edhe një mungesë të autoritetit për të monitoruar fushatën zgjedhore online”, tha Karim.
Bashkëpunimi mes institucioneve për hetimin e krimeve zgjedhore u vlerësua nga misioni i OSBE-ODIHR, por u kërkua një zbatim më këmbëngulës dhe parandalim i praktikave abuzive.
“Mekanizmi i ri koordinues mes institucioneve për hetimin e krimeve zgjedhore mirëpritet, por ka nevojë për të pasur një zbatim persistent dhe parandalim të praktikave abuzive. Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë dhe e organizuar mirë, por pati vazhdimisht mosrespektim të procedurave dhe u shënua nga disa incidente intimidimi dhe ndikim te zgjedhësit dhe disa probleme me procedurat dhe transparencën”, theksoi Karim.
Zannier, shefi i misionit të ODIHR-it ka një këshillë për partitë politike shqiptare
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetares së RTSH, Lamberto Zannier, shefi i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve i ODIHR-it tha se misioni nuk mund të japë një vlerësim përfundimtar për sa i përket përmbushjes së standardeve.
“Ne nuk japim vlerësim nëse e kaluan standardin ndërkombëtar, por shohim anë të ndryshme të zgjedhjeve: fushatën, mbulimin mediatik… Nga komentet e shihni që nuk është një foto bardhezi, por ka disa nuanca gri. Në disa zona ka nevojë për përmirësime, diku standardet janë më mirë, diku tjetër janë vë re probleme dhe këto duhen diskutuar,” u shpreh Zannier.
Ambasadori kishte edhe një këshillë për klasën politike në Shqipëri.
“Këshilla për partitë politike është kjo: kini vullnetin e mirë! Kur erdha këtu u ndjeva shumë mirë, por sa fillon të flasësh për politikë, me cilindo, dallon një polarizim të fortë, opinione shumë të forta. Kjo është e pranueshme. Unë vetë jam italian dhe e di sa pasionant bëhesh… Por vjen një pikë kur bëhet më e rëndësishme të mbash distancën, të pranosh… Për shembull në medie pashë një mungesë debati mes kandidatëve, që pastaj përkthehet në informacion të mangët për votuesit. Prandaj është e rëndësishme që secili të pranojë të sillet me përgjegjshmëri dhe të kontribuojë për një klimë më të mirë për zgjedhjet,” tha shefi i misionit të ODIHR-it.
Billi: “Triumvirati” shqiptar – SPAK, Prokuroria, KQZ – bëri punë të çmuar
“Dua të theksoj disa aspekte të veçanta në këto zgjedhje. Së pari e vlerësoj punën e çmuar të ‘triumviratit’ shqiptar – SPAK, Prokuroria e Përgjithshme dhe KQZ – për të koordinuar dhe për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor. Së dyti, përfshirja e votës së diasporës shënon një gur kilometrik të rëndësishëm në historinë demokratike të Shqipërisë. Së treti, ne shohim që duhet ende progres në kulturën më të gjerë politike, për të forcuar besimin e publikut dhe për të siguruar që qeverisja e mirë të prekë të gjitha nivelet e shoqërisë,” tha Simone Billi, kryetar i delegacionit te APKE-së.
Soder: Reformat demokratike dhe integrimi europian ecin krah për krah
“Ne shpresojmë vërtet që Shqipëria do të tregojë vullnetin e nevojshëm politik dhe do të ndërmarrë verime për të adresuar këto rekomandime. Këto nuk janë thjesht kërkesa teknike, por përforcojnë integritetin demokratik dhe janë urgjente, sidomos duke ditur procesin e anëtarësimit në BE që ka nisur Shqipëria. Reformat demokratike dhe integrimi europian ecin krah për krah dhe vonesat e vazhdueshme për të adresuar problemet kritike, si financimi i fushatës, transparenca dhe pavarësia e medies, dhe përdorimi i burimeve shtetërore duhen zgjidhur që të ketë përparim domethënës,” u shpreh Bjorn Soder, kryetar i Delegacionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.
Gahler: Parlamenti Europian do i ndjekë me kujdes zhvillimet paszgjedhore në Shqipëri
“Ne vëmë re se një numër rekomandimesh të ODIHR-it mbeten të pazgjidhura, si ato për financimin e fushatës. Ne mendojmë se numërimi i votave jashtë qendrave të votimit duhet adresuar. Për më tepër, disa palë kanë ngritur shqetësimin për dhënien e pagesave shtesë për pensionistët ose falja e gjobave në minutat e fundit, apo për shitblerjen e votës dhe presionin mbi votuesit, edhe nëpunësit civile, që janë një pjesë e konsiderueshme e zgjedhësve.
Ne shprehim keqardhjen që votuesit, të cilët nuk mundën të shkojnë në qendrat e votimit ditën e zgjedhjeve për arsye të vlefshme, si sëmundja, aktualisht nuk kanë mundësinë ligjore për ta ushtruar të drejtën e votës. Ne shpresojmë që ky problem të zgjidhet në zgjedhjet e ardhshme duke futur votimin me postë… Ndërkohë që e respektojmë plotësisht diversitetin politik në vend, shpresojmë që diskursi politik dhe gjuha e përdorur do të jenë më të kontrolluara. Dua t’ju siguroj se Parlamenti Europian do i ndjekë me kujdes zhvillimet paszgjedhore në Shqipëri,” deklaroi Michael Gahler, kryetar i Delegacionit të Parlamentit Europian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




