“Legalizimi i strukturave prodhuese duhet të mbyllet brenda gushtit”/ Rama: Duhet të pezullohet urgjentisht veprimtaria e AKU-së!

Nën kujdesin e Kryeministrit Rama u zhvillua sot tryeza e përbashkët dialogu me më shumë se 100 përfaqësues të biznesit në sektorin e bujqësisë, blegtorisë, peshkimit, agropërpunimit dhe agroturizmit, për të folur dhe ndarë ide, në frymën e hartimit dhe bashkërendimit të politikave dhe instrumenteve të nevojshme për zhvillimin e ekonomisë bujqësore, drejt vizionit “Shqipëria 2030”.
Në përfundim të ditës së parë të këtij dialogut, kryeministri Edi Rama vlerësoi rëndësinë e takimeve të tilla me fermerët, që sipas tij, janë identifikuar problematika që shkojnë nga çështje të mëdha deri te ato që nuk do të duhej të ishin problem, por që realisht po pengojnë zhvillimin.
Sipas Kryeministrit, një nga problematikat që doli nga konsulta e sotme lidhet me mungesën e legalizimit të strukturave prodhuese rurale.
Kjo theksoi Rama, pengon aksesin në kredi, në fondet e BE-së dhe në instrumentet mbështetëse për sipërmarrjen.
“Këtu kam parasysh çështjen e legalizimit të strukturave prodhuese që është një problem që ka implikime të rënda pasi bënë të pamundur aksesin për marrjen e kredive, bënë të pamundur aksesin për marrjen e fondeve për mbështetje , qoftë këto financimet evropiane apo financime të brendshme. Pra bënë të pamundur aksesin në gjithë ato instrumente që sigurisht bëhet shumë e vështirë për ta mbajtur në këmbë sipërmarrjen.
Ai kërkoi nga kadastrat dhe bashkitë të ndërhyjnë menjëherë për të përshpejtuar procesin e legalizimit dhe të mos i lënë fermerët të presin më gjatë.
“Vetëm me këtë takim të sotëm, ne mund të dalim me një vendim dhe ti kërkojmë bashkive që në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës të bëjnë legalizimin e menjëhershëm të të gjithë strukturave prodhuese në hapsirat rurale. Duhet ta marrim përsipër dhe duhet t’ja përcjellim të gjitha strukturave të qeverisjes vendore që brenda muajt gusht të përcjellin në kadastër të gjitha procedurat e legalizimit të strukturave.
Një tjetër shqetësim për kryeministri Edi Rama, ishte dhe funksionimi i Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU, ku ai kërkoi që të nxirret urdhri i pezullimit të veprimtarisë së AKU-së, pasi më shumë bën dëm se rregullon.
“Në të njëjtën kohë, duhet të pezullohet veprimtaria e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU). AKU-ja duhet të ndalohet me urgjencë të vazhdojë të veprojë, sepse më shumë se sa mirë, ajo po shkakton dëm. Duhet të pezullohet AKU-ja dhe të ngrihet një komision i posaçëm për të analizuar të gjitha burimet njerëzore të AKU-së. Procesi i bashkimit të inspektoriateve, i parashikuar me ligj, duhet të kalojë në një proces seleksionimi të kujdesshëm. Në këtë komision duhet të jetë pjesë edhe Universiteti Bujqësor i Tiranës’, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




