Rrezikuan banesat dhe bizneset – Rinis aksioni nga ajri për shuarjen e flakëve në Borsh, Piqeras dhe Sasaj, evakuohen 40 persona

Aktualitet | 1 vit më parë

Situata nga zjarret në jug të vendit mbetet kritike. Në Borsh, Piqeras dhe Sasaj ka rinisur ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë të Forcës Ajrore, në përpjekje për të neutralizuar flakët që po kërcënojnë banesat dhe bizneset e zonës. Era e fortë gjatë orëve të para të mëngjesit ka favorizuar përhapjen e shpejtë të zjarreve, duke përkeqësuar situatën.

Gjatë natës, zjarrfikësit dhe Forcat e Armatosura të stacionuara në Borsh kanë siguruar perimetra mbrojtëse përreth zonave të banuara. Policia e Shtetit dhe punonjësit e emergjencave civile kanë asistuar në evakuimin e banorëve dhe pushuesve, duke shoqëruar në siguri 40 persona nga zonat më të rrezikuara.

Zjarrfikësit e Himarës dhe Forcat e Armatosura vijojnë operacionin në terren duke bashkërenduar me ekuipazhet e helikopterëve për të eliminuar çdo rrezik.

Ministri i Brendshëm Pirro Vengu bën me dije se përgjatë natës është punuar pa u ndalur përballë flakëve që përfshinë zonën e Qafë Buallit në Bulqizë, për të frenuar përhapjen e zjarreve dhe për të mbrojtur banesat dhe pyjet. Me mjetet dhe pajisjet në dispozicion, ndërhyrja nga toka ka vijuar në kushte të vështira terreni dhe erërash të forta.

Situata paraqitet veçanërisht kritike në qarqet Vlorë, Dibër dhe Berat. Vlora ka mbi 10 vatra aktive, ndërsa në Dibrën zjarret janë përqendruar në zonat e mbrojtura të Lurës dhe Zallgjoçajt. Edhe qarku i Beratit është goditur gjerësisht, me një vatër të fuqishme në Poliçan që ka kërcënuar disa fshatra përreth.

Ndërsa në Delvinë zjarret kanë mundur të vihen nën kontroll, por dëmet në këtë zonë janë të mëdha.

Zjarret në Elbasan drejt shuarjes së plotë pas tetë ditësh përballje

Situata nga zjarret në qarkun Elbasan është ndjeshëm përmirësuar. Pas tetë ditësh përpjekjesh në disa vatra aktive në Bashkitë Elbasan dhe Librazhd, flakët janë drejt shuarjes së plotë. Vatrat më problematike ishin në Shmil dhe masivin pyjor Lugaxhi–Dritas, ku zjarret shkaktuan dëme të mëdha në pyje dhe bimësi.

Në operacione janë angazhuar mbi 90 efektivë të zjarrfikëses, ushtrisë, emergjencave dhe punonjës të bashkive. Në Librazhd, ndërhyrjet vijojnë në zonat pyjore të Orenjës, Gurakuqit dhe Kostenjës, ku janë përfshirë edhe banorët.

Aktualisht nuk ka rrezik për banesat, ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri pas identifikimit të një vatre të re në zonën “Guri i Muzhaqit”. Moti me reshje dhe temperatura më të ulëta ka ndihmuar në përmirësimin e situatës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme