Bisedimet për Ukrainën, të dërguarit amerikanë përfundojnë takimin me Putinin në Kremlin, nisen drejt Dublinit

Të dërguarit amerikanë, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, kanë përfunduar bisedimet në Kremlin me presidentin rus, Vladimir Putin, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë. Pas largimit nga Moska, dyshja pritet të udhëtojë drejt Dublinit në Irlandë, ku do të zhvillojnë një takim me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili ndodhet atje për punimet e një samiti evropian.
Takimi i së enjtes në kryeqytetin rus pasoi dy ditë bisedimesh trepalëshe mes Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Rusisë të zhvilluara në Abu Dhabi. Sipas raportimeve të medias shtetërore ruse “RIA Novosti”, Witkoff i bëri të qartë kreut të Kremlinit se presidenti amerikan, Donald Trump, “kërkon t’i japë fund konfliktit në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur”.
Ai vlerësoi se raundi i mëparshëm në Abu Dhabi ishte zhvilluar “në një atmosferë pozitive”, ku delegacionet ukrainase dhe ruse kishin “punuar në mënyrë efektive”.
Nga ana e tij, Jared Kushner i cilësoi diskutimet me Putinin si “përmbajtëse dhe të detajuara”. Ai bëri me dije se Uashingtoni ka nisur tashmë konsultimet me vendet evropiane mbi “arkitekturën e sigurisë” pas luftës, duke shtuar se Evropa ka shprehur vullnetin për t’u përfshirë në procesin e paqes. Ndërkohë, Witkoff konfirmoi se rezultatet e takimit në Kremlin do t’i përcillen drejtpërdrejt presidentit Zelenskyy.
Pavarësisht intensifikimit të kontakteve diplomatike, presidenti rus Vladimir Putin nuk sinjalizoi lëshime mbi kushtet e Moskës. Ai riafirmoi se Rusia nuk do të tërhiqet nga kërkesat e saj territoriale dhe kundërshtoi kategorikisht idenë e vendosjes së trupave paqeruajtëse të huaja në Ukrainë, duke e cilësuar një skenar të tillë si një “vazhdim të luftës”.
Lideri rus paralajmëroi se çdo forcë paqeruajtëse ndërkombëtare në territorin ukrainas do të kthehej në një “objektiv legjitim për ushtrinë ruse”.
Gjatë bisedimeve, Putin hodhi gjithashtu idenë e një “misioni humanitar” në qytetin e vijës së frontit, Kostyantynivka, në lindje të Ukrainës.
“Në Donbas ka një fshat të quajtur Kostyantynivka, ku ende ka rreth 400-500 civilë. Le të bëjmë të njëjtën gjë që bëmë në Oleshky dhe të ftojmë përfaqësues të shtypit të huaj, përfshirë shtypin amerikan”, deklaroi Putin, duke iu referuar një operacioni të mëparshëm evakuimi të ndërmjetësuar nga SHBA-të në jug të Ukrainës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




