Temperaturat e larta ndikojnë në pemëtore. Ujitja dhe trajtimet kimike, thelbësore për cilësinë e prodhimit

Bujqësi | 1 vit më parë

Gjatë kësaj periudhe të gjatë me temperatura të larta dhe mungesë reshjesh, niveli i lagështisë në tokë ka qenë shumë i ulët, duke krijuar vështirësi për kulturat bujqësore.

Për pasojë, fermerët që merren me kultivimin e pemëve frutore janë detyruar të shtojnë ndjeshëm ujitjet, si një masë e domosdoshme për të shmangur stresin e bimëve dhe dëmtimin e frutave.

“Kjo është ndier sidomos në pemëtoret intensive, me sistem mbështetës dhe rrënjor të cekët, të tipit ‘spur’, që kanë kërkesë më të lartë për ujitje dhe me intervale më të shpeshta. Jo të gjitha zonat kanë mundësi ujitjeje, por kanë pasur zgjidhje alternative, me puse apo me sonda, dhe kush ka qenë afër lumenjve ka marrë drejtpërdrejt nga aty me traktopompë,” thotë specialist Nevion Telha nga sektori i pemëtarisë në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore.

Përveç ujitjes, një tjetër aspekt i rëndësishëm gjatë kësaj faze ka qenë vazhdimi i trajtimeve kimike, të cilat ndihmojnë në mbrojtjen e bimëve nga sëmundjet dhe dëmtuesit.

“Aktualisht kemi bërë trajtime për brezin e dytë të krimbit të mollës. Jemi në kushte optimale për të goditur maksimumin e larvave. Shërbimet e tjera janë kryesisht spërkatja e ushqyesve, që bëhen këtë periudhë, kryesisht me potas apo kalium, e shoqëruar me aminoacide,” thotë z. Telha.

Specialistët këshillojnë që fermerët t’i zbatojnë këto masa jo vetëm për të ruajtur dhe përmirësuar cilësinë e prodhimit aktual, por edhe për të ndikuar pozitivisht në diferencimin e sythave frutorë për sezonin e ardhshëm.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme