Histori dhe traditë në Tepelenë – Në tre muajt e verës qyteti tërhoqi mbi 5 mijë vizitorë
Qyteti i Tepelenës vijon të mbetet një destinacion i preferuar për turistët vendas dhe të huaj, veçanërisht gjatë këtyre ditëve të shtatorit.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Turizmit, numri i vizitorëve ka shënuar rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Peizazhet natyrore, historia dhe mikpritja e banorëve janë faktorët kryesorë që po tërheqin vizitorët.
“Na pëlqen shumë Tepelena. Peizazhet janë mahnitëse dhe njerëzit këtu janë shumë mikpritës. Ndihemi si në shtëpinë tonë dhe po shijojmë çdo moment të vizitës sonë këtu,” shprehet një prej turistëve.
Ndërsa një tjetër turist u shpreh për RTSH, “Ky qytet është i mbushur me histori dhe një atmosferë të veçantë. Çdo rrugicë dhe monument na bën të ndiejmë lidhje me të kaluarën dhe mezi presim të zbulojmë më shumë gjatë qëndrimit tonë këtu.”
Edhe vizitorët vendas zgjedhin Tepelenën si një destinacion të përshtatshëm për fundjavë, duke vlerësuar shërbimet dhe mikpritjen.
“Pamja e mrekullueshme dhe historia e Ali Pashë Tepelenës janë arsyet kryesore që të bëjnë të vish këtu.”
Nga muaji qershor e deri tani, Tepelena është vizituar nga mbi 5 mijë turistë, duke u kthyer në një ndër atraksionet më të preferuara të jugut.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





