PSG jashtë Kupës së Francës, kampionët e Europës humbin derbin dhe eliminohen

Francë | 9 muaj më parë

Eliminim i bujshëm në Kupën e Francës. PSG i jep lamtumirën kompeticionit në fazën e 1/16-ve, pas humbjes në shtëpi në derbin me Paris FC, që bën historinë falë një goli të Ikoné. I futur në fushë në minutën e 40-të, në vend të të dëmtuarit Gory, lojtari me një të kaluar në Serie A, gjeti golin fitues në minutën e 74-t.

Dembélé, Doué dhe Mendes, të aktivizuar në pjesën e dytë nga trajneri Luis Enrique, nuk arritën ta ndryshonin fatin e ndeshjes. Kupa e Francës humb kështu mbajtësen e trofeut dhe favoriten kryesore për të shkuar në finale.

Në “Parc des Princes” shkoi çdo gjë keq për PSG. Vetëm 8 ditë pas fitores 2-1 të kampionëve absolutë në Francë, vjen hakmarrja e Paris FC. Jonathan Ikoné nuk duhej të luante, por dëmtimi i Gory i dha mundësinë të zbriste në fushë dhe ai vendosi ndeshjen.

Luis Enrique kishte bërë rotacion, duke lënë jashtë big-ët Marquinhos, Joao Neves, Nuno Mendes, Dembélé dhe Doué. Aktivizoi disa prej tyre në fund dhe PSG ushtroi presion, por pa rezultat. Paris FC merr kështu një fitore historike në derbin e kryeqytetit francez, duke nxjerrë PSG nga gara për njërin nga trofetë sezonalë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme