Dëmtohet ura e Zerzebilit në Gjirokastër, Shkak kryesor  kalimi i mjeteve të rënda

Turizëm | 6 muaj më parë

Ura e Zerzebilit, e vendosur në Përroin e Dunavatit dhe e shpallur monument kulture i kategorisë së parë, po përballet me dëmtime serioze vetëm një vit pas restaurimit. Pamjet tregojnë çarje të dukshme në trupin e urës, që sipas specialistëve rrezikojnë qëndrueshmërinë e saj nëse nuk ndërhyhet në kohë.

Sipas inxhinierit Vaso Polo, shkaku kryesor i dëmtimeve lidhet me kalimin e pakontrolluar të mjeteve të rënda gjatë viteve të fundit, në kuadër të punimeve dhe ndërtimeve në qytetin e Gjirokastër.

“Ajo ka pasur një ngjarje e cila fillon nga themeli deri në lartësi që ka ardhur si rezultat i kalimit tw mjeteve të rënda”, u shpreh Polo.

Inxhinieri Polo  thekson  se ndërhyrjet e kryera deri më tani kanë qenë të pjesshme dhe sipërfaqësore, pa një studim të mirëfilltë teknik, çka ka bërë që problemet të përsëriten. Për këtë arsye, sipas tij kërkohet një projekt i ri restaurimi, i plotë dhe i standardizuar, i cili të garantojë stabilitetin afatgjatë të urës dhe të shmangë rrezikun e shembjes, ndërsa shton se pas ndërhyrjes të vendosen kufizime të rrepta për qarkullimin e mjeteve të rënda, në mënyrë që të ruhet integriteti i kësaj vepre.

“Do të bëjmë një projekt restaurimi të kësaj ure për të mos pasur më probleme”, tha inxhinieri.

E realizuar me gurë dhe me një hark të vetëm, ajo ka shërbyer për dekada si një nyje e rëndësishme lidhëse për banorët e zonës dhe për tregtarët që përshkonin këtë rrugë. Sot, përtej funksionit të saj praktik, ura mbetet një dëshmi e trashëgimisë kulturore të qytetit të Gjirokastrës, duke kërkuar ndërhyrje profesionale dhe mbrojtje të vazhdueshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme