Incident pranë Shtëpisë së Bardhë-Forcat e sigurisë qëllojnë me armë një person

Një person është qëlluar nga agjentët e forcave të policisë pranë Monumentit të Washingtonit.
Agjencia Sekrete e Shteteve të Bashkuara, bëri të ditur se incidenti ndodhi në zonën e Monumentit Kombëtar të Washingtonit, një vend shumë i frekuentuar nga turistë dhe vizitorë.
Detajet e plota mbi identitetin e personit të qëlluar, gjendjen e tij shëndetësore dhe rrethanat e sakta të ngjarjes ende nuk janë bërë publike.
“Agjentët e Shërbimit Sekret dhe partnerët tanë të zbatimit të ligjit reaguan ndaj një incidenti pranë Monumentit të Washingtonit. Një person është qëlluar. Hetimet janë në vazhdim”, thuhet në deklaratën e shkurtër të agjencisë.
Si masë paraprake sigurie, Shtëpia e Bardhë u mbyll për një kohë të shkurtër (lockdown) ndërsa autoritetet kryenin hetime në vendngjarje.
Kufizimet u hoqën pas disa minutash, pa raportime për rrezik të mëtejshëm për presidentin apo stafin e Shtëpisë së Bardhë.
Deri më tani nuk ka deklaratë zyrtare mbi motivin e këtij incidenti. Hetuesit po shqyrtojnë nëse ka pasur kërcënim ndaj sigurisë së zonës së mbrojtur ose ndaj figurave të larta shtetërore, transmetojnë mediat amerikane.
Zona rreth Monumentit të Washingtonit mbetet e monitoruar intensivisht, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht ngjarjen.
Ky incident vjen në një periudhë të tensionuar sigurie në kryeqytetin amerikan, ku zona federale rreth Shtëpisë së Bardhë, Capitol Hill dhe monumenteve kombëtare mbahen nën vëzhgim të fortë të vazhdueshëm pas sulmit me armë që ndodhi në hotelin Hilton Washington në Connecticut Avenue.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





