Gjyqi në themel/ Veliaj kërkon shtyrjen për arsye shëndetësore: Dua të jem në seancë, por nuk më lejon gjendja! GJKKO refuzon kërkesën

Aktualitet | 8 minuta më parë

Gjykata e Posaçme ka vendosur të vijojë seancën gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pavarësisht kërkesës së këtij të fundit për shtyrjen e saj për arsye shëndetësore.

Përmes një letre drejtuar gjykatës, Veliaj ka kërkuar shtyrjen e seancës, duke pretenduar se gjendja e tij shëndetësore kërkon ndërhyrje kirurgjikale. Ai ka deklaruar se prej 10 ditësh kërkon dokumentacionin mjekësor, por nuk i është vënë në dispozicion, çka sipas tij e pengon të marrë pjesë në proces.

Nga ana tjetër, prokurori i SPAK, Altin Dumani, deklaroi se Prokuroria nuk ka asnjë relacion mjekësor nga mjeku i burgut që të përshkruajë gjendjen shëndetësore të Veliajt dhe asnjë dokument konkret për të vlerësuar situatën.

Avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, kundërshtoi këtë qëndrim, duke pretenduar se Prokuroria është në dijeni të gjendjes shëndetësore të klientit të tij. Ai tha se Veliaj ka kryer kontrolle mjekësore, rezonancë dhe grafi, ndërsa i është komunikuar se ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Sipas Ndrecës, Drejtoria e Burgjeve nuk i ka vënë në dispozicion kartelën mjekësore dhe dokumentacionin e nevojshëm.

Pas dëgjimit të palëve, trupi gjykues u tërhoq në dhomën e këshillimit, ku vendosi të vijojë procesin me parashtrimet e kërkesave të të pandehurve të tjerë, duke vlerësuar se mbrojtja nuk kishte provuar pamundësinë e Veliajt për të marrë pjesë në seancë.

Prokurori Ols Dado deklaroi se informacionet e ardhura nga Spitali Memorial i Fierit dhe mjeku turk nuk tregonin një gjendje emergjente dhe se situata shëndetësore e Veliajt nuk e pengonte paraqitjen e tij në gjykatë.

Dado iu referua gjithashtu kërkesës së mëparshme të Veliajt drejtuar SPAK për të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme, duke argumentuar se kjo tregonte se ai nuk ishte në pamundësi për të qenë i pranishëm.

Në kundërpërgjigje, avokati Plarent Ndreca sqaroi se kërkesa për pjesëmarrje në aktivitete ishte paraqitur me dy alternativa: praninë fizike ose pjesëmarrjen përmes videokonferencës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme