Lezha çel zyrtarisht sezonin turistik, atmosferë festive në Shëngjin, prezantohet oferta e pasur turistike

Turizëm | 4 muaj më parë

Në një atmosferë festive dhe me pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve dhe vizitorëve, Lezha ka çelur zyrtarisht sezonin turistik veror. Ceremonia u zhvillua në bregdetin e Shëngjinit, i cili u gjallërua nga muzika, ushqimi tradicional dhe aktivitetet promovuese, duke prezantuar ofertën e pasur turistike të këtij rajoni.

Të pranishëm në hapjen e sezonit turistik ishin autoritete vendore dhe qendrore, të cilët u shprehen se zonat turistike të Lezhës po frekuentohen masivisht gjate viteve te fundit dhe do të njohin një zhvillim të mëtejshëm, përmes projekteve konkrete që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve turistike.

“Lezha duhet thënë me Shëngjinin, me Talën, me Ranën e Hedhur dhe me lagunën Kune Vain, ka të paktën katër vite që nuk bie turizmi, por ngjitet”, tha kryetari i bashkisë Lezhë Pjerin Salla.

“Bashkia e ka bërë një punë të shkëlqyer dhe po vazhdon qoftë në infrastrukturë dhe çdo punë tjetër që i afrohet turizmit, por edhe qytetit të Lezhës”, tha ministri i Bujqësisë, Andis Salla

“Shëngjini, këtë sezon do të jetë një sukses akoma dhe më të madh se viti që i kaluar, viti i kaluar dhe në këtë vit Shëngjini do të shkëlqejë kudo”, tha ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.

Turistë dhe vizitorë u shprehen se Shëngjini dhe Lezha në tërësi janë një vend i mrekullueshëm për të kaluare pushimet verore, duke vlerësuar gjithçka ofron ky rajon.

“Zonën e Lezhës e frekuentojmë më së shumti dhe është nder dhe kënaqësi për ne të jemi këtu dhe të japim kontributin tonë në të gjitha mënyrat”.

“Është një destinacion fantastik që mund të zgjidhet këtë verë për arsye sepse ofron turizëm, ofron shërbim, ofron komoditet’.

“Plazhi natën është i mrekullueshëm. Vërtetë një plazh shumë i bukur. Moti është shumë i mirë. Njerëzit janë shumë të mirë. Të gjithë janë miqësorë. Ku do ndihet një atmosferë shumë e ngrohtë dhe familjare”, thanë ata.

Çelja e sezonit turistik në Lezhë shënon një nisje premtuese, me pritshmëri të larta për një rritje të numrit të turistëve vendas dhe të huaj përgjatë bregdetit dhe destinacioneve të tjera turistike të këtij rajoni.

Gazetare: N. Spahiu       

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme