Trump: Çdo marrëveshje me Iranin do jetë ndryshe nga ajo e Obamës

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se çdo marrëveshje e tij me Iranin do të jetë krejtësisht ndryshe nga ajo e paraardhësit të tij, Barack Obama.
“Nëse bëj një marrëveshje me Iranin, ajo do të jetë një marrëveshje e mirë dhe e duhur, ndryshe nga ajo që bëri [ish-presidenti amerikan Barack] Obama, e cila i dha Iranit sasi të mëdha parash dhe një rrugë të qartë e të hapur drejt armës bërthamore.
Marrëveshja jonë është krejt e kundërta, por askush nuk e ka parë dhe askush nuk e di se çfarë është. Ajo as nuk është negociuar plotësisht ende.
Pra mos dëgjoni humbësit, të cilët kritikojnë diçka për të cilën nuk dinë asgjë. Ndryshe nga ata para meje që duhej ta kishin zgjidhur këtë problem shumë vite më parë, unë nuk bëj marrëveshje të këqija!”, ”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Deklarata e Trump vjen në mes të kritikave të ashpra nga kundërshtarët politikë, pas raportimeve se marrëveshja e re nuk përfshin diskutime për programin bërthamor të Iranit.
Ndërkaq, më herët, Trump ka siguruar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se një marrëveshje finale me Iranin do të çmontonte plotësisht programin bërthamor të Teheranit.
Në një telefonatë që Trump ka zhvilluar me Netanyahun është theksuar se marrëveshja do t’i jepte fund konfliktit.
Sipas zyrtarëve izraelitë ky zhvillim vjen teksa po dalin detaje të një marrëveshjeje që po përgatitet me Iranin, e cila duket se lë pa plotësuar kërkesat kryesore izraelite dhe amerikane, duke shkaktuar shqetësime të thella në Izrael.
Sipas raporteve të shumta, të konfirmuara nga zyrtarët izraelitë, marrëveshja fillestare do të fokusohet në zgjatjen e një armëpushimi ekzistues për 60 ditë të tjera dhe hapjen e Ngushticës së Hormuzit për transportin vital detar.
Çështja kryesore e aktiviteteve bërthamore të Iranit do të lihet për diskutime gjatë kësaj periudhe, pa kërkesë që Irani të eksportojë stokun e tij të uraniumit të pasuruar shumë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





