Hetimi i dosjes së Jeffrey Epstein/Bill Gates dëshmon para Kongresit amerikan

Bill Gates, bashkëthemeluesi i Microsoft, mbërriti sot në Kapitol Hill për t’u përgjigjur pyetjeve në Komitetin e Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, i cili po heton dosjen e Jeffrey Epstein.
Gates do të dëshmojë sot para kongresmenëve që po investigon dosjet e Jeffrey Epstein, duke u bërë figura e fundit e fuqishme e lidhur me Epstein që del për të dëshmuar.
Anëtarët e Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve do ta intervistojnë miliarderin prapa dyerve të mbyllura, ashtu siç kanë bërë me dëshmitarë të tjerë.
Gates, teksa mbërriti në Kapitol këtë mëngjes, tha se është aty vullnetarisht dhe shpreson që dëshmia e tij të jetë e dobishme për komitetin.
“Shpresoj që dëshmia ime të ndihmojë në punën e rëndësishme të komitetit, për të gjetur drejtësi për viktimat”, tha ai.
Deputeti republikan James Comer, kryetar i komitetit, zyrtarisht kërkoi që Gates të dëshmojë pasi ai u shfaq disa herë në një sasi të madhe dokumentesh të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë si pjesë e hetimit për Epstein.
Dosjet lexohen si një listë e njerëzve më të fuqishëm në teknologji, financa, politikë dhe industri të tjera.
Të gjithë kanë mohuar çdo përfshirje në krimet e Epstein, por disa mbajtën ose krijuan miqësi me të edhe pas daljes në dritë të historisë së tij të abuzimit seksual.
Në dosje përfshihen shënime kalendarike për takime mes Gates dhe Epstein, korrespondencë email-i mes tyre për projekte filantropike, si dhe foto të Gates në evente ku merrte pjesë edhe Epstein.
Marrëdhënia e tyre profesionale filloi në vitin 2011, tre vjet pasi Epstein u deklarua fajtor në Florida për kërkim prostitucioni nga një e mitur, dhe vazhdoi të paktën deri në fund të vitit 2014, sipas dokumenteve.
Epstein u akuzua në korrik 2019 për trafikimin e të miturve për seks dhe komplot për trafikimin e të miturve për seks.
Departamenti i Drejtësisë akuzoi se Epstein krijoi një rrjet të gjerë vajzash të mitura, disa vetëm 14 vjeç, për t’i abuzuar seksualisht mes viteve 2002 dhe 2005. Ai u vetëvra në një qeli burgu në Nju Jork në vitin 2019, teksa priste gjyqin.
Gates, i cili kryeson Fondacionin Gates, nuk është akuzuar për ndonjë shkelje në lidhje me Epstein dhe ka mohuar çdo njohuri për abuzimin e vajzave nga Epstein.
Ai ka thënë se u takuan vetëm për të diskutuar filantropi dhe e ka quajtur lidhjen e tij me Epstein “një gabim të madh”.
Si Bill Gates ashtu edhe ish-gruaja e tij, Melinda French Gates, kanë thënë se lidhja e tij me Epstein krijoi tension në martesën e tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





