Deklaratat e deputetes Marjana Koçeku për kërcënim, reagon avokati ligjor i familjes Bajri

Deputetja Marjana Koçeku ka ngritur akuza publike, duke pretenduar se ka rënë pre e kërcënimeve të drejtpërdrejta. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Koçeku ka adresuar një paralajmërim të prerë ndaj një prej fiseve të njohura në Shkodër, duke u zotuar për reagim ekstrem në rast se preket siguria e familjes së saj. Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar menjëherë mbrojtja ligjore e palës së akuzuar, duke i cilësuar thëniet e deputetes si “sulm politik dhe shpifje të pabazuara në prova.”
“Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”, shkruan Koçeku.
Reagimi i mbrojtjes ligjore
Pas akuzave publike të deputetes, Avokati Sokol Tahiraj, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të familjes Bajri, ka shpërndarë një deklaratë për mediat ku hedh poshtë çdo pretendim të Koçekut. Sipas tij, deklaratat e saj cenojnë rëndë parimet kushtetuese dhe janë të motivuara politikisht, pa pasur asnjë bazë faktike apo dokumentare.
Mbrojtja ligjore ka sqaruar pozicionin e saj në raport me shtetin e së drejtës dhe procedurat që do të ndiqen. Deklaratat cilësohen prej tij si “stigmatizuese dhe cenuese për parimin e prezumimit të pafajësisë, të garantuar nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut“.
Avokati konfirmoi se po shqyrtohet me seriozitet ngritja e padive dhe kallëzimeve penale për deklarata të pavërteta dhe shpifëse. Pala e akuzuar i ka bërë thirrje deputetes që të ndërpresë “gjyqet publike” dhe t’i drejtohet organeve të drejtësisë.
Përfaqësuesi ligjor, Sokol Tahiraj, u shpreh se në një shtet ligjor askush nuk mund të etiketohet apo të shpallet fajtor mbi bazën e perceptimeve personale apo insinuatave.
“Ftojmë zonjën Koçeku që, nëse disponon prova konkrete për çdo pretendim të bërë publikisht, t’i paraqesë ato pranë institucioneve përgjegjëse sipas ligjit dhe jo të zhvillojë gjyqe publike në media apo rrjete sociale. Klientët tanë do të vazhdojnë të mbrojnë të drejtat e tyre me mjetet që garanton ligji, ndërsa ne, si përfaqësues ligjorë, do të reagojmë ndaj çdo përpjekjeje për t’i dëmtuar ata përmes deklaratave të pabazuara dhe denigruese.”, deklaron avokat Sokol Tahiraj.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




