Aplikimet për skemën kombëtare në bujqësi, mbi 500 fermerë të Gjirokastrës të interesuar

Bujqësi | 4 muaj më parë

Mbi 500 fermerë të qarkut të Gjirokastrës kanë aplikuar pranë zyrave të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural për të përfituar nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi.

Sipas specialistit të bujqësisë, Balil Bineri, pjesa më e madhe e aplikimeve është përqendruar në katër masa mbështetëse, të cilat konsiderohen më të leverdishmet dhe me ndikimin më të drejtpërdrejtë në aktivitetin e fermerëve.

“Aktualisht kemi hyrë në fazën intensive të aplikimeve për skemat kombëtare të mbështetjes financiare për bujqësinë. Jemi në mesin e periudhës së aplikimit. Interes më të lartë ka për masat e tufës bazë të matrikulluar te gjedhi, të imtat, bletaria dhe masa tetë që e quajmë ne sipërfaqe të mbjella me kultura bujqësore”, u shpreh Specialisti i Bujqësisë.

Ndërkohë, tre masa të tjera kanë tërhequr më pak interes nga fermerët e qarkut. Sipas Binerit, kjo lidhet me specifikat e këtyre skemave, kriteret që duhet të plotësojnë aplikantët.

“Pak ka për masat e tjera siç është masa mbështetje për peshkimin, mbështetje për fermat organike dhe për certifikimin global të produkteve bujqësore”, tha Bineri.

Skemat Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi vijojnë të konsiderohen një instrument i rëndësishëm për mbështetjen e sektorit, duke krijuar mundësi për rritjen e investimeve, përmirësimin e prodhimit dhe fuqizimin e ekonomisë rurale. Pas përfundimit të procesit të aplikimeve, fermerët presin vlerësimin e dosjeve dhe shpalljen e përfituesve të subvencioneve.

Gazetare: L. Koçiu  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme