Projektligji i ri/ Taksa e pasurisë do të llogaritet mbi vlerën e tregut, zbritje për banesën e parë dhe pezullim shërbimesh për debitorët

Ekonomi | 4 muaj më parë

Ministria e Financave ka finalizuar projektligjin e ri “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme”, i cili parashikon një transformim rrënjësor të sistemit fiskal vendor duke kaluar nga taksimi i bazuar në sipërfaqe, në një sistem taksimi të bazuar në vlerën e tregut të pronës. Nisma, e mbështetur në rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), synon rritjen e të ardhurave për bashkitë, të cilat aktualisht mbledhin rreth 0.28% të PBB-së nga kjo taksë, me objektivin për të arritur nivelin e 0.7% deri në 1% të PBB-së.

Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, reforma konsiderohet si “një komponent kryesor në një proces reformimi strukturor që synon transformimin rrënjësor të financave lokale dhe decentralizimin e plotë fiskal të qeverisjes vendore”.

Dokumenti thekson se regjimi aktual shpesh vendos të njëjtën barrë tatimore për prona në qendër dhe në periferi, ndërsa sistemi i ri “ofron më shumë drejtësi dhe mundëson një diferencim më të mirë të barrës tatimore për pasuri të paluajtshme me vlera të ndryshme tregu”.

Nivelet e reja të taksimit dhe zbritja për banesën e parë

Projektligji përcakton kufij të rinj të shkallëve të taksës që do të aplikohen nga bashkitë për kategori të ndryshme pronash.

Ndërtesa për banim, 0.1% – 0.2% e vlerës së tregut; Ndërtesa për veprimtari ekonomike, 0.15% – 0.25% e vlerës së tregut; Tokë bujqësore-blegtorale dhe pyjore, 0.05% – 0.15%; Tokë truall dhe përdorime të tjera, 0.075% – 0.175%.

Ndërtesat e papërfunduara do të taksohen me 30% të shkallës përkatëse.

Një risi e rëndësishme është aplikimi i zbritjes për banesën e parë. Dokumenti saktëson se do të ketë “një zbritje nga vlera e banesës së parë të të gjithë individëve, në një shumë të barabartë me 50% (pesëdhjetë përqind) të vlerës së banesës së parë”, por jo më shumë se një prag maksimal i ndarë në 7 kategori bashkish. Për shembull, pragu maksimal i zbritjes për Bashkinë e Tiranës është 8,400,000 lekë, ndërsa për bashkitë e kategorisë së shtatë është 750,000 lekë.

Përjashtimet nga taksa

Relacioni parashikon kategori specifike që përjashtohen nga detyrimi tatimor. Mes tyre përfshihen pasuritë shtetërore dhe fetare (që nuk përdoren për qëllime fitimprurëse), ndërtesat e papërfunduara brenda afatit të lejes së ndërtimit, si dhe banesat sociale.

Gjithashtu, përjashtohen “banesat e deklaruara si vendbanim, në pronësi ose posedim të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike” dhe atyre që “përfitojnë vetëm pension pleqërie, pension invaliditeti apo pension social, kur familja e tyre përbëhet vetëm nga pensionistë”.

Një tjetër përjashtim aplikohet për sektorin e turizmit, ku strukturat akomoduese me katër dhe pesë yje me status special (brand name) do të përfitojnë përjashtim për një periudhë 10-vjeçare nga nisja e veprimtarisë.

Masat ndëshkuese, pezullim shërbimesh nga Kadastra te mjetet

Për të garantuar mbledhjen e të ardhurave, drafti prezanton masa të ashpra pasive ndaj debitorëve. Relacioni argumenton përdorimin e këtyre masave për të siguruar pagimin në kohë, të cilat përfshijnë “pezullimin e shërbimeve të caktuara të ofruara nga bashkitë apo i atyre të ofruara nga institucionet qendrore deri në pagesën e plotë të detyrimeve të papaguara tatimore”.

Institucionet qendrore që nuk do të ofrojnë shërbime për qytetarët dhe bizneset debitore janë:

Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK)

Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT)

Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB)

Drejtoria e Shërbimeve Publike të Transportit Rrugor (DPSHTRR)

Sistemi i ri, i cili do të administrohet përmes një baze qendrore të quajtur Kadastra Fiskale, parashikohet të zbatohet në dy faza për shkak të kompleksitetit.

“Zbatimi i taksës së re të bazuar në vlerën e tregut, do të fillojë në 2029, për njësitë e ndërtesave dhe në 2031, për parcelat”, saktësohet në relacion, duke theksuar se deri atëherë do të ketë një periudhë tranzitore ku do të aplikohen një sërë zbritjesh për të zbutur kalimin në skemën e re.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme