Mbyllen aplikimet për skemën kombëtare, rreth 15 mijë aplikime në AREB Korçë, interes i lartë për bujqësinë dhe blegtorinë

Bujqësi | 3 muaj më parë

Është mbyllur procesi i aplikimeve për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026. Sipas Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor Korçë, janë regjistruar rreth 15 mijë aplikime për masat mbështetëse direkte, ndërsa qarku i Korçës ka shënuar numrin më të lartë të aplikimeve. Interesi më i madh i fermerëve është përqendruar te pagesat për sipërfaqet e mbjella dhe masat mbështetëse për blegtorinë.

“Nga ana e fermerëve ka pasur interes të lartë për aplikimet, sidomos për Skemën 1 dhe Skemën 9, të cilat janë skema me pagesa direkte. Kemi pasur vetëm në qarkun e Korçës rreth 7 200 aplikime, ku interesi më i lartë ka qenë për Skemën 8, e cila lidhet me pagesat për sipërfaqen e tokës. Gjithashtu, interes ka pasur edhe për skemat e blegtorisë, si ato për gjedhët e imta dhe për bletarinë”, u shpreh Vullnet Gjolla, Drejtor i AREB Korçë.

Përveç masave direkte, fermerët e qarkut kanë shfaqur interes edhe për masat e investimeve, të cilat synojnë modernizimin e fermave dhe rritjen e konkurrueshmërisë në sektorin bujqësor.

“Të gjithë ata fermerë që kanë pasur dëshirën dhe mundësinë për të aplikuar në këto skema, kanë pasur mundësi të plotësojnë dosjet e aplikimit. AREB ka qenë gjithmonë në krah të tyre, duke i ndihmuar në përgatitjen dhe plotësimin e dokumentacionit. Sipas asaj që kam parë gjatë ditëve të aplikimit, qarku i Korçës duhet të ketë mbi 160 dosje të plotësuara në kuadër të këtyre skemave”, tha ai.

Pas përfundimit të fazës së aplikimeve, institucionet përgjegjëse do të vijojnë me procesin e shqyrtimit të dosjeve dhe verifikimin e kritereve, përpara përfitimit të mbështetjes financiare nga fermerët.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme