Ksamili në kulmin e sezonit turistik, deti, natyra dhe mikpritja tërheqin turistët

Ksamil mbetet një nga destinacionet më të preferuara për turistët e huaj gjatë kësaj periudhe verore. Plazhet me ujëra të kristalta dhe ishujt karakteristikë vazhdojnë të tërheqin vizitorë nga vende të ndryshme të botës, duke e kthyer zonën në një pikë kyçe të turizmit në jug të vendit.
“Ksamil është një nga vendet më të bukura që kemi vizituar deri tani. Deti është jashtëzakonisht i pastër dhe ngjyrat janë mahnitëse. Është një destinacion perfekt për pushime, ku mund të relaksohesh dhe të shijosh çdo moment pranë ujit”, tha një prej turistëve.
“Na pëlqen shumë atmosfera këtu. Është një vend i qetë, me plazhe të bukura dhe ujëra të kristalta. Kemi ardhur për disa ditë dhe po mendojmë ta zgjasim qëndrimin sepse ndihemi shumë mirë”, u shpreh një tjetër turiste.
Përveç detit dhe diellit, turistët shprehen të mahnitur edhe nga natyra e bukur që ofron Ksamili dhe zonat përreth. Peizazhet, gjelbërimi dhe afërsia me atraksione të tjera historike e natyrore e bëjnë përvojën e tyre më të plotë dhe tërheqëse.
“Natyra është fantastike, gjithçka është shumë e gjelbër dhe e pastër. Kemi vizituar edhe zona përreth dhe çdo vend ka bukurinë e vet. Është një eksperiencë shumë e veçantë për ne si turistë”, deklaroi një nga turistet.
“Njerëzit janë shumë mikpritës dhe të buzëqeshur. Shërbimi është i mirë dhe ushqimi është shumë i shijshëm. Ndihemi të mirëpritur dhe kjo e bën eksperiencën tonë edhe më të bukur”, u shpreh një tjetër turiste.
Një rol të rëndësishëm në këtë fluks vizitorësh luan edhe mikpritja vendase. Shërbimi, kuzhina tradicionale dhe atmosfera miqësore janë elementë që turistët i vlerësojnë, duke e bërë Ksamilin një destinacion ku shumë prej tyre zgjedhin të rikthehen.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





