NVIDIA rikthen Jensen Huang në krye të kompanisë. Trump: Vendimi i duhur për sigurinë dhe ekonominë amerikane

Botë | 6 minuta më parë

Bordi drejtues i gjigantit amerikan të teknologjisë NVIDIA ka rikthyer unanimisht Jensen Huang në detyrën e Presidentit dhe Drejtorit Ekzekutiv (CEO), më pak se dy javë pas dorëheqjes së tij, e cila erdhi në një periudhë të shoqëruar me polemika dhe shqetësime për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. (Foto:Reuters)

Bordi deklaroi se vendimi u mor pas një serie takimesh dhe diskutimesh me Huang, si dhe pas konsultimeve me nivele të larta të qeverisë amerikane.

Sipas NVIDIA-s, pas shqyrtimit të informacionit të mbledhur, bordi është i bindur se rikthimi i Huang nuk paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA-së.

Kryetari i Bordit, Harvey C. Jones, deklaroi se Jensen Huang është personi i duhur për të drejtuar kompaninë dhe se rikthimi i tij është në interesin më të mirë të aksionarëve, punonjësve, partnerëve dhe klientëve të NVIDIA-s.

“Jam i nderuar të kthehem në NVIDIA dhe të drejtoj një nga kompanitë më të rëndësishme të teknologjisë në botë në fillim të një revolucioni të ri industrial”, deklaroi Huang.

Presidenti amerikan Donald Trump ka mirëpritur rikthimin e Jensen Huang në krye të NVIDIA-s, duke e cilësuar vendimin e bordit si të drejtë.

Në një reagim në rrjetin social Truth Social, Trump deklaroi se qeveria amerikane nuk ka arsye të besojë se rikthimi i Huang përbën ndonjë kërcënim për sigurinë kombëtare.

Ai e cilësoi drejtuesin e NVIDIA-s si një “patriot të madh dhe një thesar kombëtar”, duke theksuar se udhëheqja e tij është e rëndësishme jo vetëm për kompaninë, por edhe për ekonominë amerikane.

Pavarësisht rikthimit të tij, NVIDIA ka bërë të ditur se hetimi i pavarur mbi raportimet që lidhen me Jensen Huang do të vazhdojë deri në përfundim. Bordi ka ngritur një komitet të përbërë nga drejtorë të pavarur, i cili do të mbikëqyrë hetimin me ndihmën e këshilltarëve të jashtëm.

Lajmi për rikthimin e Jensen Huang pati ndikim të menjëhershëm në tregjet financiare. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, aksionet e NVIDIA-s u rritën ndjeshëm, duke rikuperuar një pjesë të konsiderueshme të humbjeve të regjistruara gjatë javëve të fundit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme