Shkodër- Zbulohet ambient nëntokësor për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit, 10 të arrestuar, sekuestrohen 170 kg drogë
Një ambient nëntokësor i përshtatur për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit është zbuluar nga Policia në Shkodër, ndërsa janë arrestuar 10 persona.
Gjatë kontrolleve në zonën e njohur si “Kanali i Drinit”, uniformat blu zbuluan një magazinë, brenda së cilës ishte kamufluar një hyrje që të çonte në një ambient nëntokësor. Ky ambient ishte ndarë në dy pjesë, njëra e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave dhe tjetra për përpunimin e lëndës narkotike.
Nga kontrollet u sekuestruan rreth 2 600 bimë të dyshuara kanabis, të kultivuara në vazo, si dhe 170 kilogramë lëndë narkotike e përpunuar, e ambalazhuar në 10 thasë plastikë.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Në flagrancë u arrestuan 10 shtetas, të moshave 18 deri në 61 vjeç, banues në qytete të ndryshme të vendit.
Sipas Policisë, të arrestuarit janë:
- K., 36 vjeçe, dhe M. P., 38 vjeçe, banuese në Gjirokastër;
- K., 61 vjeç, E. K., 41 vjeç, dhe R. D., 28 vjeç, banues në Cërrik;
- G., 37 vjeç, banues në Tiranë;
- L., 46 vjeç, banues në Poliçan;
- L., 18 vjeç, dhe A. T., 30 vjeç, banues në Ishull-Lezhë;
- T., 25 vjeç, banues në Mirditë.
Nga verifikimet ka rezultuar se njëri prej të arrestuarve, 46-vjeçari A. L., ishte shpallur më parë në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




