Rritet numri i vizitorëve në Kalanë e Gjirokastrës- 130 mijë turistë në 7 muaj, 12 mijë më shumë se një vit më parë
Kalaja e Gjirokastrës vijon të mbetet destinacioni më i vizituar turistik në jug të vendit. Fluksi i turistëve vendas dhe të huaj ka shënuar rritje edhe gjatë këtij sezoni veror, duke konfirmuar interesin në rritje për qytetin muze dhe trashëgiminë e tij kulturore.
Sipas të dhënave të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, nga muaji janar e deri më tani kalanë e Gjirokastrës e kanë vizituar rreth 130 mijë turistë, ose afro 12 mijë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Që nga fillimi i vitit 2026 janë rreth 130.000 vizitorë që kanë vizituar Kalanë e Gjirokastrës, me një numër prej rreth 12.000 vizitorësh më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.Pra, kemi një rritje të numrit të vizitorëve në mënyrë të qëndrueshme, do të thoja, e cila do të pasqyrohet edhe në numrin total të vizitorëve deri në fund të vitit. Presim një rritje prej rreth 10–12% në krahasim me vitin e kaluar, nëse vazhdojnë këto trende të vizitorëve”, tha Ardis Duka, Drejtor i Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër
Rritja e numrit të vizitorëve është reflektuar edhe në monumentet e tjera të trashëgimisë kulturore në qark. Objektet e kultit, sitet arkeologjike dhe muzetë kanë pritur një numër të konsiderueshëm turistësh, të tërhequr nga historia, arkitektura dhe vlerat e veçanta që ofron kjo zonë.
“Në zonën e Antigonesë kemi gjithashtu një rritje të numrit të vizitorëve, si edhe në objektet e kultit. Do të përmendja Kishën e Labovës së Kryqit, si edhe disa objekte të tjera në zonën e Përmetit, si Leusa apo Kisha e Kosinës, të cilat janë objekte vërtet të veçanta”, tha Duka.
Me sezonin turistik që vijon të jetë në kulmin e tij, institucionet e trashëgimisë kulturore presin që numri i vizitorëve të vazhdojë të rritet edhe më tepër gjatë javëve në vijim.
Gazetare: E. Domeri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





