Program i ri studimi në Universitetin e Gjirokastrës- “Infermieristikë“, bashkëpunim me universitetin e Piemontes në Itali
Për vitin e ri akademik, Universiteti i Gjirokastrës ofron edhe një program të ri në fushën e shëndetit. Është një program i përbashkët studimi me Università del Piemonte Orientale në Itali, me diplomë të dyfishtë Bachelor në “Infermieristikë”.
“Në këtë program studimi, studentët do të përfitojnë në përfundim të ciklit një diplomë të përbashkët duale. Ne jemi përpjekur dhe kemi synuar të hartojmë një program në përputhje me standardet më të mira të arsimit të lartë. Në fund të këtij programi synojmë të përgatisim profesionistë të kujdesit shëndetësor, të aftë, kompetentë dhe të përgjegjshëm për të përballuar sfidat moderne me të cilat përballet shëndeti dhe kujdesi shëndetësor”, tha prof. as. Maria Agolli, përgjegjëse e Departamentit të Infermierisë.
Lëndët që përfshihen në këtë program janë të përfshira në kujdesin infermieror dhe studentët kanë mundësi zgjedhjeje ta zhvillojnë atë në cilën gjuhë dëshirojnë, mes shqipes, anglishtes dhe italishtes.
“Kjo përbën një risi, pasi studentët tanë gjatë këtij cikli studimi nuk do të kenë vetëm mundësi mobiliteti për orët e praktikës, por edhe për lëndët klinike. Ata do të zhvillojnë semestra mësimorë, do të ndjekin lëndë klinike dhe do të kenë mundësi të vlerësohen nga pedagogë italianë për lëndët që do të zhvillojnë pranë Universitetit të Piemontes. Po ashtu, studentët nga Italia apo vende të tjera që do të zgjedhin këtë program studimi në universitetin tonë, do të kenë mundësi t’i zhvillojnë lëndët dhe praktikat në disa gjuhë”, tha dr. Dritan Rami, pedagog në Universitetin e Gjirokastrës.
Ky është një hap i rëndësishëm për UGJ-në, për studentët që zgjedhin fushën e shëndetit dhe për rajonin, ku nevoja për profesionistë të mirëformuar mbetet e lartë.
Gazetare: Y. Ponde
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





