Zgjerohet “Paketa e Maleve” në Bashkinë Shkodër, qeveria shton katër zona të reja me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim, i cili zgjeron hartën e territorit të mbrojtur dhe të favorshëm për investime në kuadër të zhvillimit të ekonomisë malore në Bashkinë Shkodër. Përmes këtij vendimi, i cili ndryshon dhe plotëson vendimin paraprak të vitit 2025, territorit ekzistues i shtohen katër zona të reja me një sipërfaqe totale prej mbi 23 mijë hektarësh.
Zonat e reja dhe fshatrat që përfshihen në projekt
Vendimi i ri, i propozuar nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor dhe i nënshkruar nga Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, përfshin fshatra të njësive administrative Shalë, Shosh, Pult dhe Postribë:
Zona Nr. 6 (Njësia Administrative Shalë)- Përfshin fshatrat Nderlysaj, Lekaj, Gimaj, Nënmavriq, Nicaj-Shalë, Abat, Pecaj, Vuksanaj dhe Lotaj, me një sipërfaqe totale prej 4,667 hektarësh.
Zona Nr. 7 (Njësia Administrative Shosh)- Përfshin fshatrat Ndrejaj, Nikaj-Shosh, Palaj, Pepsumaj dhe Brashtë, me një sipërfaqe prej 4,458 hektarësh.
Zona Nr. 8 (Njësia Administrative Pult)- Përfshin fshatrat Pog, Kir, Gjuraj, Plan, Xhan, Bruçaj dhe Mgull, duke përbërë me 11,080 hektarë sipërfaqen më të madhe të shtuar.
Zona Nr. 9 (Njësia Administrative Postribë)- Përfshin fshatrat Drisht, Ura e Shtrenjtë, Domen dhe Prekal, me një sipërfaqe prej 3,183 hektarësh.
Për zbatimin e këtij vendimi dhe integrimin e sipërfaqeve të reja në kuadrin rregullues të ligjit “Për paketën e maleve”, janë ngarkuar tri institucione kryesore:
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit;
Agjencia Shtetërore e Kadastrës;
Bashkia Shkodër.
Vendimi përcakton se përditësimi i kufijve gjeografikë bëhet zyrtarisht në bazën e të dhënave të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (KRGJSH) dhe hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare, duke u hapur rrugë stimujve ekonomikë dhe investimeve në këto zona malore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





