Situata nga zjarret në vend/ 29 vatra në 24 orë, 11 vijojnë aktive në disa qarqe

Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 29 vatra zjarri në vend, prej të cilave 11 vijojnë aktive, 3 janë në monitorim dhe 4 janë nën kontroll.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 249 efektivë të MZSH-së, 48 forca policore, 233 forca bashkiake, të AdZM-së, Shërbimit Pyjor dhe ASHP-së, 206 vullnetarë dhe 118 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në terren janë vendosur gjithashtu 43 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë vënë në dispozicion 9 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 3 ambulanca, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Ndër vatrat kryesore aktive është Dajti në Tiranë, ku vijojnë operacionet në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara. Situata paraqitet e njëjtë edhe në Priskë të Madhe.
Në Përmet, zjarret vijojnë aktive në malin e Nëmerçkës dhe malin e Dhëmbelit. Terreni i vështirë po e vështirëson ndërhyrjen, ndërsa zjarrfikësit, punonjësit pyjorë dhe vullnetarët po punojnë për izolimin e vatrave. Edhe këtu nuk raportohet rrezik për banesat.
Një nga operacionet më të rëndësishme po zhvillohet në Gurë-Lurë të Dibrës, ku janë angazhuar dhjetëra efektivë të bashkisë, Forcave të Armatosura, Policisë dhe vullnetarë. Ndërhyrja ka bërë të mundur vendosjen nën kontroll të perimetrit pranë banesave, duke shmangur rrezikun për to. Nga ajri kanë operuar dy avionë Air Tractor.
Vatra aktive raportohen gjithashtu në Qafën e Helmes në Bulqizë, Trojë në Mirditë, Rrencë dhe Goraj-Budishtë në Shkodër, si dhe në Dardhë të Librazhdit dhe Shalës të Cërrikut.
Në Goraj-Budishtë, sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për banesat dhe zjarri po shkon drejt izolimit. Edhe në Dardhë të Librazhdit nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Ministria e Mbrojtjes thekson se operacionet po vijojnë në mënyrë të koordinuar nga toka dhe ajri, ndërsa në zonat më të ekspozuara fokusi kryesor mbetet mbrojtja e banesave dhe frenimi i përhapjes së flakëve.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, vijon monitorimin e pandërprerë të situatës dhe koordinimin e kapaciteteve në të gjithë vendin.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





