George Clooney nderohet me “Luanin e Artë” për karrierën: Askush nuk qesh ose qan në gjuhë të ndryshme

Film | 2 muaj më parë

Aktori dhe regjisori i njohur amerikan, George Clooney, është vlerësuar me çmimin e madh “Luani i Artë për Arritje Gjatë Jetës” në Festivalin e Filmit në Venecia. Gjatë ceremonisë së mbajtur mbrëmjen e së mërkurës, ylli i Hollivudit pasqyroi me modesti rrugëtimin e tij kinematografik, duke i atribuuar suksesin një vargu rrethanash fatlume dhe bashkëpunimit me të tjerët: “Kam pasur një sërë ngjarjesh me fat, nuk arrin askund vetëm.”

Në fjalën e tij përshëndetëse, Clooney përçoi një mesazh të fuqishëm universal mbi natyrën njerëzore dhe fuqinë e artit për të bashkuar popujt përtej kufijve e gjuhëve: “Askush nuk qesh, askush nuk qan në gjuhë të ndryshme, prindërit shqetësohen në të njëjtën mënyrë, ne ëndërrojmë në të njëjtën mënyrë: kjo është arsyeja pse është e vështirë të besohet se të gjithë jemi aq të ndryshëm sa na thonë”, deklaroi aktori i mirënjohur përpara publikut dhe personaliteteve të artit në Venecia.

Vlerësimi me “Luanin e Artë” vulos kontributin e tij pluridekadash në kinematografinë botërore, si në rolet e tij ikonike ashtu edhe në angazhimin e tij si regjisor e producent.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme