Kinemaja shqiptare rikthim pas 14 vitesh, Festivali i Filmit, homazh për kolosët e artit
Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar u rikthye në Tiranë, pas 14 vitesh mungesë, në edicionin e tij të 14-të, duke sjellë në vëmendje krijimtarinë kinematografike shqiptare, autorët, aktorët dhe veprat e realizuara ndër vite.
Festivali çeli siparin me një mbrëmje gala në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ku u mblodhën artistë, kineastë dhe personalitete të artit e kulturës shqiptare dhe të huaj.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, në përshëndetjen e tij, vlerësoi rëndësinë e rikthimit të festivalit dhe të kinemasë shqiptare si një hapësirë krijimtarie, bashkëpunimi dhe promovimi të kulturës.
“Ne sot nuk kthejmë thjesht një festival, por kthejmë një traditë, dhe për mua kjo është shumë e rëndësishme sepse është pjesë e punës që bëj: të punojmë fort, të investojmë, të kemi trashëgimi kuptimplotë e domethënëse. Ashtu siç është në pak fjalë edhe ajo që po bëjmë sot, që po kthejmë një traditë që është shumë e rëndësishme për gjakun dhe për zemrën tonë.”
Kjo mbrëmje gala kulmoi me ndarjen e Çmimit të Karrierës për kolosët e kinemasë shqiptare.
“Dua të jem falënderues dhe të bëjmë një homazh të gjithë atyre që e themeluan kinematografinë shqiptare, të gjithë brezave të cilët e ndërtuan, punuan, sakrifikuan.”
Reshat Arbana, i nderuar me çmim, u shpreh se “E kisha vënë veten në gjumë dhe thashë i kam mbaruar punët me dekorata, medalje, çmime, tituj, s’ka më. Mirëpo që në kuadrin e ditëlindjes së 86 më akordohet një çmim që vërtetë më ka emocionuar shumë.”
Festivali synon të jetë jo vetëm një hapësirë për shfaqjen e filmave, por edhe një platformë diskutimi mbi kinemanë si industri dhe mbi zhvillimin e saj të mëtejshëm në Shqipëri.
Përgjatë 10 ditëve, Tirana do të kthehet në një nga qendrat kryesore të jetës kulturore, ndërsa publiku do të ketë mundësinë të ndjekë prodhimet artistike të kineastëve shqiptarë të realizuara gjatë 13 viteve të fundit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




