Artizanja që mban gjallë traditën – Elmije Sallahu qëndis e kompleton veshjet e Malësisë së Gjakovës

Kulturë | 2 orë më parë

Elmije Sallahu, njëra prej artizaneve të Tropojës, gjendet çdo ditë në shtëpizën prej druri në qendër të qytetit të Bajram Currit. Ajo punon me dorë të gjitha veshjet kombëtare të krahinës, duke i realizuar me qëndisje të imta dhe zbukurime me rruaza.

“Komplet e bëmë në copë 200-she, i themi ne, copë katrore të vogla që mbushen plotësisht me rruaza,” shpjegon ajo. Për të përgatitur dhe kompletuar një veshje të tillë i duhet plot një vit punë. Vetë lloji i qëndisjeve dhe imtësia e motiveve të zgjedhura sjell lodhje e mund, por Elmija e bën gjithmonë me dëshirë dhe pasion.

Koha e gjatë e punës dhe kostoja shpeshherë nuk përputhen me pritshmëritë për të fituar nga ky profesion. Megjithatë, kërkesa për veshje tradicionale ekziston, ndërsa emigrantët mbeten destinacioni kryesor i tregut.

Elmija nuk e mban mend saktësisht kur ka nisur të merret me qëndisje, pasi profesioni i është përcjellë nga gjyshja. Ajo ruan me fanatizëm disa punime të veshjeve tradicionale të gjyshes, të cilat kanë më shumë se një shekull histori. “Të lodhë, të lodhë. Por është diçka që nuk më pëlqen të lë pas. Jemi të edukuar për të bërë punë, duhet të na udhëheqë kjo ndjenjë e përgjegjësisë,” thotë ajo.

Në Tropojë nuk ka vajzë apo grua që nuk mban një veshje të tillë. Elmija ka kompletuar edhe vajzat dhe mbesat e saj me kostume tradicionale. Profesionin dëshiron ta përcjellë edhe te vajzat e tjera, ashtu siç e ka marrë vetë. Madje është vetëofruar për t’i mësuar pa pagesë vajzat e interesuara: “Ashtu siç e kam marrë vetë, unë e kam qejf të ketë vajza që të mësojnë pa lek, falas.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme