Polemika me manekinin e Çerçiz Topullit në Gjirokastër sjell dorëheqjen e kreut të Trashëgimisë Kulturore

Kulturë | 36 minuta më parë

Një debat i fortë është hapur në Gjirokastër pas ekspozimit në Muzeun e Kalasë të një manekini që synon të paraqesë figurën e Heroit të Popullit, Çerçiz Topulli.

Pamjet e manekinit, i paraqitur me veshje, armë dhe dylbi, kanë shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale. Qytetarë dhe personazhe të njohura kanë kërkuar ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse, duke e konsideruar paraqitjen të papërshtatshme për figurën historike të Çerçiz Topullit.

Thirrjet i janë drejtuar edhe Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, të drejtuar nga Blendi Gonxhja, nga i cila kërkohet ndërhyrje dhe largimi i manekinit nga ambientet e muzeut.

Në qendër të debatit është mënyra se si është rikrijuar figura e Çerçiz Topullit dhe përshtatshmëria e saj me një hapësirë muzeale kushtuar historisë dhe trashëgimisë së Gjirokastrës.

Në mes të kësaj polemike ka ardhur edhe dorëheqja e kreut të Agjencisë së Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, Florian Hysi.

Përmes një deklarate publike, Hysi njoftoi largimin nga detyra, duke marrë përgjegjësinë për atë që e cilëson si një gabim të korrigjuar. Ai nuk e përmend drejtpërdrejt manekinin në deklaratën e dorëheqjes, por shprehet se çdo detyrë publike duhet të shoqërohet me përgjegjësi personale për vendimet dhe veprimet e ndërmarra.

Hysi falënderoi Bashkinë e Gjirokastrës, kolegët dhe punonjësit e Agjencisë, ndërsa e cilësoi dorëheqjen si një akt përgjegjësie dhe respekti për institucionin.

Ndërkohë, debati vijon në rrjetet sociale, ku kërkesa kryesore e qytetarëve dhe figurave publike mbetet ndërhyrja e institucioneve përgjegjëse për të vendosur nëse manekini do të qëndrojë apo do të largohet nga Muzeu i Kalasë.

Polemika ka rikthyer në vëmendje edhe diskutimin mbi mënyrën se si përfaqësohen figurat historike në hapësirat muzeale dhe përgjegjësinë institucionale për ruajtjen e dinjitetit të tyre historik.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme