Pagesat e subvencioneve për fermerët, autoritetet bëjnë apel për plotësimin në kohë të dokumentacionit
Kanë nisur të shpërndahen pagesat për fermerët që kanë aplikuar në skemat mbështetëse në bujqësi për zonën e juglindjes. Rreth 20% e fermerëve që kanë aplikuar tashmë i kanë marrë pagesat.
Paratë kanë kaluar në llogaritë e tyre ndërsa vijon ende procesi i analizimit të dosjeve. Sipas autoriteteve këta janë fermerë që kanë plotësuar në kohë dokumentacionin dhe më pas është kryer edhe kontrolli administrativ dhe fizik. Por procesi vonohet nga plotësimi i dokumentacionit.
Ndaj apelojnë që fermerët të dorëzojnë brenda afatit dokumentet që kërkohen.
“Nga skema një deri në skemën shtatë dhe skema nëntë. Përveç kontrollit administrativ të tyre ka filluar dhe pagesat në këto skema të fermerëve. Bëj thirrje fermerëve të cilët nuk kanë plotësuar dokumentacionin, të vijnë të plotësojnë dokumentacionin sepse dhe afatet tashmë e sa vijnë dhe shtrëngohen”, tha Vullnet Gjolla, Drejtor i AREB, Korçë.
Vetëm në skemën numër 8, atë të subvencionimit për sipërfaqe toke në juglindje të vendit ka pasur 4200 aplikime.
“Qarku i Korçës ka afërsisht 4200 fermerë të aplikuar për skemën numër tetë, pra për pjesën e pagesës për sipërfaqe ë ku afërsisht 3120 kanë përfunduar kontrollin administrativ, kanë kaluar tashmë ku po bëhet kontrolli përsëri administrativ dhe kontrolli fizik i tyre që do të bëhet në terren. Pra ne kemi arritur afërsisht 70% të fermave të kontrolluara për skemën numër tetë”, tha ai.
Këtë vit është kryer një total prej 7136 aplikimesh për 9 skemat e para. Në skemat mbështetëse të këtij viti 9 prej tyre ishin me pagesë direkte ndërsa 3 të tjera përfshinin investimet.
Gazetare: K. Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




