Komedia “Zonja e Bujtinës“ në Fier, regjisori Kiço Londo e sjell nën interpretimin e një trupe studentore

Kulturë | 2 orë më parë

Komedia “Zonja e Bujtinës”, e dramaturgut italian Carlo Goldoni, ka mbërritur në skenën e Teatrit “Bylis” në Fier. Për dy netë, publiku fierak ndoqi historinë e Mirandolinës, të zonjës së bujtinës, e cila me zgjuarsi dhe natyrshmëri përballet me situata të papritura, duke sjellë humor dhe të papritura në marrëdhëniet me personazhet e tjerë. Përmes kësaj komedie, Goldoni sjell në vëmendje një shoqëri ku pasuria, pasioni dhe mendjemprehtësia përballen me kotësinë dhe paragjykimet.

“Është një vepër e cila shquhet për temën e saj. Përmes një loje, e gjithë situata në skenë kalon në një kaos në të cilën jeton edhe fatkeqësisht shoqëria jonë. Jemi në një traumë shumë të madhe. Në këtë kuptim shfaqja i flet shumë spektatorit”, tha regjisori Kiço Londo.

Për rreth dy orë, nën regjinë e Kiço Londos, në skenë interpretojnë studentët e Akademisë së Arteve. Interpretimi i trupës së re synon t’i japë veprës një frymë të freskët, duke vënë në pah talentin dhe përgatitjen e aktorëve të rinj.

“Luaj rolin e shërbëtorit dhe asistentit. Ishte një publik shumë mikëpritës. Patëm shumë duartrokitje”, tha aktori Shpëtim Terolli.

Për Kiço London, kjo vepër është edhe një mundësi për të mbështetur talentet e reja dhe për t’i dhënë hapësirë zhvillimit të tyre artistik. Pas shfaqjeve në Fier, “Zonja e Bujtinës” do të vijojë turneun në Lushnjë, Vlorë dhe Elbasan.

Gazetare: L. Roshi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme