Kërkime arkeologjike në Lin, studiuesit analizojnë sitin palafit, shtrirje prej rreth 6 hektarësh
Për të gjashtin vit radhazi vijojnë kërkimet arkeologjike në sitin palafit të Linit 3. Arkeologë shqiptarë dhe të huaj po kryejnë kampionime dhe analiza të avancuara për të dokumentuar shtrirjen dhe historinë e këtij vendbanimi, që konsiderohet ndër më të hershmit palafitë në Evropë.
Këtë vit, kërkimet kanë konfirmuar një sipërfaqe prej rreth gjashtë hektarësh, duke renditur Lini 3 si një nga sitet palafite më të mëdha të Ballkanit.
“Ideja është që, nëpërmjet laboratorëve në Oksford, në Bernë, në Kiel dhe në Kopenhagë, të marrim sa më shumë informacion, jo vetëm për pjesën arkeologjike që na intereson, por edhe për ndërtimin e kontestit ambiental. Kush ishte vegjetacioni në atë kohë, cilat ishin kafshët dhe shumë informacione të tjera”, deklaroi Adrian Anastasi drejtues i grupit të arkeologëve.
Kërkimet nënujore po kombinohen me studime gjeofizike në zonën bregliqenore, për të lidhur pjesën tokësore të vendbanimit me atë nënujore dhe për të kuptuar më mirë shtrirjen e tij.
“E konsiderojmë setin Lin 3 si një nga vendbanimet më të rëndësishme parahistorike në Shqipëri dhe një prej vendbanimeve më të vjetra me palafite në Evropë, me rreth 2 mijë vjet histori, nga 5800 deri në 4000 para Krishtit. Ne besojmë se ky sit ka një potencial të jashtëzakonshëm për të na ndihmuar të kuptojmë jo vetëm historinë e banimit në këtë zonë, por edhe mënyrën se si komunitetet e hershme përshtatën bujqësinë me kushtet e Ballkanit dhe ndikuan në përhapjen e saj drejt Evropës”, tha Martin Hinz, bashkëdrejtues projekti.
Të dhënat e reja pritet të thellojnë njohuritë mbi zhvillimin e vendbanimit nga neoliti i mesëm deri në eneolit, ndërsa kërkimet dhe gërmimet do të vijojnë edhe në vitet e ardhshme. Sitet arkeologjike nënujore të Linit janë pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




