Premiera “Shkodra ka plot dashuri”, Humor, këngë dhe emocione në teatrin “Migjeni”

Kulturë | 51 minuta më parë

Me humor, këngë dhe shumë duartrokitje, varieteja “Shkodra ka plot dashuri” ngriti siparin në skenën e teatrit “Migjeni”.

Një sallë e mbushur plot e përplot dhe një publik që e shoqëroi shfaqjen nga fillimi në fund, duke reaguar me të qeshura e duartrokitje si ndaj batutave humoristike, ashtu edhe ndaj këngëve. Nën regjinë e Zehrudin Dokles, shfaqja sjell në një skenë emra të njohur të humorit shkodran, të ndërthurur me një brez të ri artistësh.

Shkodra është frymëzim për artistët e rinj, që janë me të vërtetë një shpresë e madhe. Shkodra është një vazhdimësi e tërë, krahas aktorëve të mëdhenj që kanë qenë legjenda të artit, jo vetëm shkodran, por mbarëkombëtar. Kemi besim që kjo traditë do të vazhdojë”, u shpreh regjisori Zehrudin Dokle.

Për aktoren e mirënjohur, Drande Xhaj, pritja e publikut ishte dëshmia më e bukur e suksesit të kësaj mbrëmjeje.

Një pritje e mrekullueshme nga publiku. Emocioni ishte i jashtëzakonshëm. Keni bërë një punë shumë të mirë, me një atmosferë të mrekullueshme. Ka një interes shumë të madh dhe, me të vërtetë, Shkodra ka shumë dashuri. E dëshmon edhe salla vetë se Shkodra ka shumë dashuri”, tha aktorja Drande Xhaj.

Pranë emrave të njohur të skenës shkodrane, artistët e rinj provuan veten përballë një publiku që e ka humorin pjesë të identitetit të qytetit.

Sa kënaqësi është që të jesh në skenë me këta emra. Përveç privilegjit për të shkelur në të njëjtën skenë me ta, është kënaqësi edhe puna, edhe mund të them se është një shkollë më vete. Nuk mendoj se është aq e lehtë për ne të rinjtë të bëjmë humor në Shkodër, sepse brezi i artë e ka çuar çelësin e humorit në një nivel shumë të lartë. Është shumë e vështirë dhe pritshmëria e publikut është shumë e madhe”, tha aktorja dhe këngëtarja Ketlin Pjalmi.

Me një ndërthurje të humorit, muzikës dhe energjisë së brezave, “Shkodra ka plot dashuri ” risolli të qeshurën dhe duartrokitjet e publikut.

Gazetar: V. Omari

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme