Vizita falas në Pustec, rikthehet ekipi i mjekëve bullgarë
Ekipi i mjekëve nga Bullgaria është rikthyer në Pustec, ku po ofron vizita dhe ekzaminime falas për banorët e zonës. Specialistët po kryejnë kontrolle dhe konsulta në disa fusha të mjekësisë si mamologji, onkologji, kirurgji, gastroenterologji, otorinolaringologji, urologji dhe pneumologji.
“Falënderoj doktorin dhe fondacionin për mundësinë që na dhanë për të vizituar Shqipërinë dhe për të qenë pjesë e kësaj nisme. Si mjekë të rinj vijmë me shumë entuziazëm dhe dëshirë për të ndihmuar dhe për të kontribuar me njohuritë tona.”
“Në emër të të gjithëve dëshiroj t’ju dhuroj një kopje të ikonës së Shënmërisë që daton në shekullin e nëntë dhe vjen nga manastiri i Baçkovit në Bullgari.”
Nisma financohet nga fondacioni “Kujtesa Bullgare”, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë në Shqipëri, dhe synon t’u mundësojë banorëve të Pustecit akses. Këtë vit risia është bashkëpunimi me një grup mjekësh shqiptarë.
“Për ne kjo është një festë pasi vijmë këtu për të shërbyer. Këtë vit kemi 10 specialistë nga Bullgaria dhe tre mjekë shqiptarë, të cilët po punojnë së bashku në disa specialitete. Vitin e kaluar u vizituan rreth 500 pacientë, ndërsa rastet më të rënda u trajtuan në Bullgari. Edhe këtë vit do të ketë ndërhyrje kirurgjikale për rastet që kanë nevojë.” – u shpreh dr. Milen Vrabevski, president i fondacionit “Kujtesa Bullgare”
“Është kënaqësi e madhe që të mirëpresim përsëri mjekët nga Bullgaria, të cilët kanë vizituar disa herë qendrën në Pustec dhe kanë dhënë një kontribut shumë të madh në bashkëpunimin e tyre të dyanshëm. Unë shpresoj që këto lidhje të vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe të kemi sa më shumë rezultate e shkëmbim eksperience.” – Mikel Llogori, drejtor i NJVKSH Korçë
Këto shërbime mjekësore të specializuara ofrohen pa pagesë dhe pranë vendbanimit të banorëve.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




