Tornoja, zanati që nuk humbet. Më shumë kërkesë për mjetet bujqësore

Sociale | 33 minuta më parë

Në një kohë kur shumë profesione tradicionale po humbasin terren, puna e tornitorit vijon të jetë e kërkuar. Në Përmet, Adriatik Dervishi prej më shumë se 50 vitesh ushtron këtë zanat dhe thotë  se vitet e fundit interesi më i madh lidhet me mjetet bujqësore.

“Ato prishen më tepër agregatët që punojnë në tokë, në arrë, në gurë. Kryesisht riparoj këputje. Pjesët e këmbimit, edhe në qoftë se ka, janë distancë të largët, do shkosh në Lushnjë në Fier për t’i marrë, ndërsa këtu për shembull për një riparim të vogël qëndron agregati prapë. Jo se ka fitime, por është një punë që një familje e mban normale”, tha ai.

Edhe mekanikët e automjeteve e shohin atë si një ndihmë të rëndësishme për riparimet e përditshme.

“Plotëson shumë kërkesa të kësaj zone. Unë punoj me një me një kolegun tim, është mekanik dhe për çdo gjë vijmë këtu. Mund të ketë edhe të rinj, por punën që bën ky, sepse ka dhe eksperiencë për shkak të vjetërsisë që ka. Po mos jetë ky i bie të vesh Tepelen, Durrës, Fier, Tiranë”, tha Roland Kaso, mekanik.

Shqetësimi i tornitorit është mungesa e të rinjve që zgjedhin të mësojnë një profesion të tillë.

“Nuk u pëlqen faktikisht të bëjnë duart t’ bëj pis. Duan kompjuterin dhe kafenenë. E mira është ekzistoj shkolla. Duhet të ketë kurse. Tani punon 50 vjet, s’ lë një trashëgimtar. Na vjen keq”, tha Dervishi.

Në një kohë kur tregu i punës kërkon gjithnjë e më shumë profesionistë të specializuar, zanate si tornitori mbeten të nevojshme.

Gazetare: L. Koçiu    

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme