Interesi për programin e fizikës në Universitetin e Shkodrës, formimi laboratorik dhe mundësitë e punësimit për të diplomuarit

Sociale | 37 minuta më parë

Programi i Fizikës vijon të jetë pjesë e ofertës universitare për maturantët që zgjedhin të orientohen drejt shkencave ekzakte. Krahas interesit për studimet, rëndësi në këtë formim i kushtohet edhe punës praktike dhe mundësive që ofrohen pas diplomimit.

“Këtë vit kemi një përqasje më pozitive të maturantëve ndaj programit të fizikës. Janë afruar ato maturantë që kanë kuptuar që fizika na shërben për një formim shkencor të mirëfilltë për të na hedhur tregun e punës në disa drejtime”, tha Klotilda Nikaj, përgjegjëse në Departamentin e Fizikës në FSHN.

Pjesë e rëndësishme e formimit në Fizikë është edhe puna laboratorike, përmes eksperimenteve dhe përdorimit të pajisjeve specifike.

“Studentët kanë në dispozicion laboratorë të mekanikës, kanë laborator të elektromagnetizmit, po ashtu dhe të elektronikës që ju shërben për të krijuar një bazë të fortë shkencore. Po ashtu keni dhe laborator didaktike që kjo është më shumë në shërbim të studentëve që zgjedhin profilin e mësuesisë në të ardhmen e tyre”, u shpreh Nikaj.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm lidhet me mundësitë që kanë të diplomuarit për të vijuar karrierën profesionale në fusha të ndryshme.

“Studentët mund të krijojnë një karrierë në fushën ose në institucione që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me energjetikën, po ashtu edhe me mjekësinë. Edhe tek institucionet e ndryshme që kanë lidhje me mjedisin, që kanë lidhje me zhurmat, që kanë lidhje me ndotjen. Të gjitha këto janë profile pune që kanë nevojë për një bazë të fortë shkencore që ofrohen pranë departamentit të fizikës”, thekson Nikaj.

Formimi teorik dhe praktik synon tu krijojë studentëve njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për vijimin e studimeve apo angazhimin e tyre në tregun e punës.

Gazetare: B. Cina

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme