Sfida e ekonomisë në raportin Lekë-Euro, ekspertët theksojnë qëndrueshmërinë dhe vëmendjen në administrimin e sektorëve
Më pak luhatje të lehta drejt forcimit të monedhave kryesore të huaja, një segment i gjatë kohor forcimi të lekut, mbetet në analizën e ekonomistëve përmes faktorësh të evidentuar.
“Lidhen kryesisht me pjesën e investimeve të huaja, kryesisht nga jorezidentët, me bumin e turizmit, të rritjes së vazhdueshme të rolit dhe të peshës që ka sektori i ndërtimit dhe i pasurive të paluajtshme në totalin e zhvillimit ekonomik”, tha profesor Elvin Meka.
Në tremujorin e parë të 2026-s, vetëm turizmi solli rreth 1 miliard euro, investimet e huaja direkte 403.9 milionë euro, ndërsa remitancat 274.3 milionë euro.
Presioni fortë për forcimin e monedhës vendase ka pamjen tjetër në faktorë që do të duhet të diversifikonin burimet e rritjes.
“Shkalla ose intensiteti i dobësimit varet në varësi të amplitudës së ndikimit, më mirë të themi, të çdo faktori veç e veç, në kohë të caktuara. Ndikimi i të gjithë këtyre faktorëve, të cilët nuk kanë ndikuar në drejtim të zbehjes së tyre, përkundrazi, është forcuar gjithmonë e më shumë, që edhe vijueshmëria, pra, pas përfundimit të efekteve sezonale të tyre, do të vijojë me të njëjtin intensitet”, tha ai.
Rritja e qartë e eksportit të shërbimeve, ndërtimit me rreth 24.8% më shumë leje të reja, nga ana tjetër shtron nevojën e zgjerimit bazë edhe jashtë faktorëve ekzistues.
“Duhet menduar për të zgjeruar burimet e zhvillimit. Pra, ekonomia nuk duhet të zhvillohet vetëm duke u mbështetur në këto shtylla kryesore që lidhen me pjesën e turizmit dhe pasurive të paluajtshme”, nënvizoi Meka.
Në të njëjtën mënyrë, edhe faktorët që sot po sjellin valutën duhet të menaxhohen, jo si frenim i hyrjes valutore, por si efekti i tyre në kurs dhe në strukturën e ekonomisë.
Gazetare: Entela Komnino
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




