“Hetimi i ish-kreut të SHISH, detyrë e drejtësisë”, Rama: Mbrojtja e institucionit, detyrë e të gjithë shtetit. Çështja do trajtohet në Këshillin e Sigurisë

Politikë | 1 orë më parë

Kryeministri Edi Rama me një mesazh drejtuar shqiptarëve nga salla e shtypit në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ka folur për nisjen e hetimeve të SPAK ndaj ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni, e cila ndodhet në masën e “arrestit në shtëpi”.

Rama u shpreh se çdo dyshim duhet të hetohet deri në fund dhe çdo akuzë duhet të provohet përmes një procesi të pavarur gjyqësor, por shtoi se situata e krijuar solli cenim të vetë institucionit dhe sigurisë kombëtare.

Rama theksoi se çdo dyshim dhe akuzë duhet të hetohet e provohet përmes një procesi të pavarur gjyqësor, ndërsa masat e kufizimit të lirisë, sipas tij, mund të kundërshtohen vetëm në gjykatë.

“Pas vendosjes së masës të arrestit shtëpie për ish-drejtuesen e SHISH, kërkojnë adresim të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë. Ishte pa diskutim një masë ekstreme po të mbajmë parasysh se bëhet fjalë për ekspozimin e një institucioni shumë kyç. Çdo dyshim duhet të hetohet deri në fund, çdo akuzë e ngritur ndaj kujtdo qoftë duhet të provohet përmes një procesi të pavarur gjyqësor. Çdo masë kufizimi e lirive, e vendosur nga organi i akuzës për cilindo që nuk ka imunitet parlamentar, kundërshtohet vetëm në gjykatë dhe jo te kryeministri. Respekti për pavarësinë e drejtësisë nuk do të thotë heshtje edhe kur një shqetësim parimor shfaqet gjatë veprimtarisë hetimore të saj. Konkretisht, në këtë rast ka një fakt tjetër shqetësues shtetëror që nuk mund të anashkalohet”, tha Rama.

Ai u ndal veçanërisht te ndikimi i ekspozimit të vetë institucionit, duke argumentuar se mbrojtja e tij është përgjegjësi e të gjithë shtetit. Rama shtoi se hetimi ndaj Vlora Hysenit nuk duhet të ngatërrohet me nevojën për të mbrojtur institucionin dhe funksionimin e tij.

“Gjatë marrjes së masës, një institucion me rëndësi të veçantë u ekspozua ndaj potencialit të një dëmi të madh që mund të ishte shmangur. Kur puna e sjell që hetimi të ngjitet deri te kreu i SHISH, ky nuk është më problem i pushtetit të pavarur, por problem i krejt shtetit. Prandaj, kjo qasje e lëshuar i ka lënë pa fjalë të gjithë partnerët tanë. Nuk është hera e parë që kreu i një shërbimi sekret merret i pandehur, por është hera e parë në historinë e botës që institucioni i shërbimit sekret bëhet target i thashethemeve mediatike. Hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit janë detyrë ekskluzive e drejtësisë. Kjo nuk ha asnjë diskutim. Kurse mbrojtja e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe jo vetëm, nga çdo dëm i panevojshëm kolateral, është detyrë e të gjithë shtetit. As kjo nuk duhet të hajë asnjë diskutim. Ndarja e pushteteve nuk mund të shfaqet kurrësesi si ndarje nga përgjegjësia shtetërore. E këtu rivijmë në fakt tek një pikë që e kemi hasur edhe më parë, prandaj ka ardhur koha ta trajtojmë bashkarisht dhe seriozisht., tha Rama.

Rama kërkoi që situata të trajtohet në mënyrë institucionale dhe tha se mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e thirrur nga Presidenti, është vendi ku duhet të diskutohen përgjegjësitë dhe garancitë për mbrojtjen e institucioneve të sigurisë.

Ai tha se mbrojtja e institucionit dhe shmangia e dëmit që mund të shkaktojë ekspozimi i tij janë përgjegjësi e të gjithë shtetit, ndërsa hetimi ndaj Vlora Hysenit mbetet në dorë të organeve të drejtësisë.

“Ka ardhur koha që ta trajtojmë këtë seriozisht. Këshilli i Sigurisë, i thirrur nesër nga Presidenti, është vendi i duhur për të reflektuar mbi përgjegjësitë institucionale dhe për të diskutuar mbi garancitë që duhet të mbrojnë institucionet tona kur drejtuesit apo punonjësit e tyre rrëshqasin nga binarët dhe bëhen subjekt i një hetimi penal. Askush nuk mund të pretendojë që sekretin hetimor ta ruajnë mediat. Problemi nuk nis te zëdhënësit informalë të oborrit të drejtësisë nëpër ekrane. Ata përdoren nga prokurorët dhe gjykatësit për t’i shpallur njerëzit fajtorë pa nisur gjyqi, njësoj si në një diktaturë, ku pasi mbarojnë punë mjetet e propagandës, gjyqi mbetet formalitet. Ky problem, që nis te paligjshmëria e ligjëruar brenda oborrit të drejtësisë, ku sekreti hetimor shpërdorohet për të linçuar, nuk mund të anashkalohet”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme