“Ka hapur një llogari të vështirë me drejtësinë”, Rama për masën ndaj ish-drejtoreshës së SHISH: Çdo dyshim duhet të hetohet deri në fund
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendosjes së masës së arrestit shtëpiak ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), duke theksuar se nuk do të ndërhyjë në përmbajtjen e dosjes hetimore dhe në vendimmarrjen e drejtësisë.
Në një prononcim për mediat pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara, ku mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe zhvilloi takime me komunitetin shqiptar, Rama tha se e kishte vlerësuar punën e Vlora Hysenit gjatë periudhës kur ajo kishte shërbyer si këshilltare.
“E kam vlerësuar punën e Vlora Hysenit. Ka nisur të punojë pranë meje në rolin e këshilltares. Pas një periudhe jo të shkurtër në atë rol, si edhe bazuar në referenca të shkëlqyera të marra nga shërbime partnere, ajo është emëruar drejtuese e SHISH-it”, tha Rama.
Kryeministri iu referua edhe zhvillimeve të fundit lidhur me hetimin ndaj ish-drejtueses së SHISH-it, duke e cilësuar masën e arrestit shtëpiak si një zhvillim që kërkon adresim të drejtpërdrejtë.
“Sapo jam kthyer nga New York-u, ku, siç e dini, përfaqësova Shqipërinë në OKB. Vendosa të drejtohem menjëherë nga aeroporti ‘Nënë Tereza’. Zhvillimet e fundit, pas vendosjes së masës së arrestit shtëpiak për ish-drejtuesen e SHISH-it, kërkojnë adresim të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë”, u shpreh ai.
Rama tha se nuk ka të drejtë të ndërhyjë në përmbajtjen e dosjes dhe në arsyet që kanë çuar gjykatën në marrjen e vendimit.
“Ishte pa diskutim një masë ekstreme, po të mbajmë parasysh se bëhet fjalë për ekspozimin e një institucioni shumë kyç. Unë s’kam të drejtën të ndërhyj në përmbajtjen e dosjes dhe çfarë e ka çuar gjykatën ta bëjë. S’e kam bërë më parë dhe as nuk do ta bëj. Çdo dyshim duhet të hetohet deri në fund”, deklaroi kryeministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



