Rama: Isha unë që i dorëzova shpatën drejtësisë. Ky është ndryshimi epokal, sistemi po lufton vetë korrupsionin
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar reformën në drejtësi si një prej ndryshimeve historike të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian.
Nga salla e shtypit në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Rama deklaroi se pavarësia e drejtësisë nuk erdhi rastësisht, por sipas tij, është rezultat i një procesi të mbështetur nga ai vetw dhe Partia Socialiste.
“Isha unë që i dorëzova shpatën drejtësisë për të ardhmen europiane të vendit tonë. Pavarësia e drejtësisë nuk ra nga qielli, nuk e solli koha, por autorësia e saj, e them me bindje, është e imja dhe e PS-së. Pavarësinë nuk e sollën dështakë zemërakë që bërtasin ‘na mbyti korrupsioni’”, tha Rama.
Rama u ndal edhe te mënyra se si ka ndryshuar, sipas tij, raporti mes institucioneve të drejtësisë dhe korrupsionit. Ai tha se janë krijuar organe që hetojnë në mënyrë të pavarur dhe se kjo përbën një ndryshim të rëndësishëm për vendin.
Kryeministri e cilësoi këtë proces si “vetëpastrim të sistemit”, duke argumentuar se institucionet shtetërore po fitojnë, sipas tij, imunitet ndaj strukturave të vjetra të korrupsionit.
“Ky adresim se çfarë po ndodh me korrupsionin dhe drejtësinë është një çështje, një nga rezultatet historike të vendit në anëtarësimin në BE. Janë formësuar organe që hetojnë në pavarësi të plotë. Deri dje korrupsioni ishte sistemi, kurse sot sistemi po lufton vetë korrupsionin dhe ky është ndryshimi epokal. Vetëpastrimi i sistemit është i shumëpritur pas një agonie të gjatë të shtetit. Shteti po fiton imunitetin nga organizmat e vjetra dhe këto zhvillime janë pjesë jetike e ndryshimit rrënjësor dhe pa kthim ku po ecën sot Shqipëria. Asnjë nuk do të na ndalë dhe asnjë nuk do të më ndalë’, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



